E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Pse humbëm bastionet më 8 Maj, çfarë na rrezikon më 2013

Intervistoi: Nevila Perndoj

TIRANË I sapozgjedhur bindshëm nga Këshilli Kombëtar, anëtari i kryesisë së PD-së dhe ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, flet gjatë në një intervistë për gazetën “Mapo” rreth përbërjes së re të kryesisë, faktit se pse mbetën jashtë themelues të partisë dhe mundësisë së reflektimit të këtij votimi në zgjedhjet e ardhshme për nënkryetarët dhe sekretariatin. Olldashi jep opinionin e tij mbi arsyet se pse PD-ja humbi bashkitë kryesore dhe disa prej bastioneve të saj. Si asnjëherë tjetër, deputeti demokrat flet për herë të parë edhe për disa pakte të hershme që, sipas tij, ka pasur mes presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama. Por a ka të ardhme sërish Topi në PD? “Një parti politike ndodh që edhe ta falë një ‘tradhti’, por shumë të tilla, zor se t’i fal kush”, - përgjigjet Olldashi.

Zoti Olldashi, çfarë do të thotë për ju (sa i takon karrierës në Partinë Demokratike), vota e Këshillit Kombëtar, ku u renditët i dyti në listë?

Momenti i rëndësishëm për mua është rikonfirmimi si anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike. Sigurisht që e doja këtë konfirmim dhe ndihem mjaft mirë që e arrita. Ju jam mirënjohës të gjithë kolegëve të Këshillit Kombëtar që më votuan dhe u kërkoj ndjesë atyre që s’e bënë këtë. Sepse do të thotë që nuk i kam bindur. Përsa i përket renditjes, nuk besoj se është ndonjë tregues kryesor. Pesë më pak apo pesë pa pak, të gjithë ata që fituan janë aty-aty.

Lulzim Basha, e më pas ju, Edmond Spaho e Aldo Bumçi, morët më shumë vota se dy nënkryetarët Topalli e Patozi, apo edhe sekretari i përgjithshëm Bode. A duhet të reflektohet kjo vote e kryesisë së re e PD-së edhe në zgjedhjet e shtatorit për nënkryetarët dhe sekretariatin?

S’ka lidhje. Nëse do të shihej në një mënyrë të tillë aritmetike, nuk do të kishte nevojë të bënim fare zgjedhje. Por, nuk është kështu. Një parti e madhe si PD-ja ka nevojë për shumë kontribute, por ka nevojë edhe për ekuilibra përfaqësimi. Të dy këta elementë do të ndërthuren sigurisht me projektin e kryetarit të PD-së.

Kur e shikon kryesinë e re të PD-së, përveç Genc Rulit, nuk është pjesë e saj asnjë nga të rikthyerit e tjerë para zgjedhjeve të 2005-ës. E shikoni të kryer misionin e tyre?

Misioni i një politikani nuk është kryesia. Personalisht mendoj se arena e synuar për secilin nga ne është Parlamenti. Parlamenti është fushëbeteja politike më e mirë dhe nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes qenies anëtar kryesie dhe qenies deputet. Një parti në pushtet ngrihet rreth qeverisë dhe grupit parlamentar.

Kështu që nuk shoh asnjë cenim të misionit të cilitdo që nuk fitoi mjaftueshmërisht vota për të hyrë në kryesi. Njerëzit për të cilët ju pyesni, me ndonjë përjashtim, janë politikanë me instinkt, eksperiencë dhe vlerë njerëzore.

Anëtarët e kryesisë të zgjedhur me votë janë ministra, deputetë dhe drejtues të institucioneve të rëndësishme shtetërore. A duket ky një forum që kryesisht në përmbajtje ka ardhur më shumë si rrjedhojë e pushtetit, sesa e kontributeve reale në PD?

Marrëdhënia është në sensin e kundërt të pyetjes suaj. Në kryesinë e PD-së nuk fituan zyrtarët. Njerëzit me kontribute në PD përfaqësojnë hallka të ndryshme të pushtetit, që nga viti 2005. Pra, për merita politike u është besuar administrim pushteti, që nga 2005 e këtej. Po për këto merita politike, në përfaqësimin dhe administrimin e pushtetit politik janë rikonfirmuar, një pjesë e tyre, në kryesinë e PD-së.

A e shihni mosvotimin e Gazmend Oketës në kryesi, si një përjashtim të zërit oponent të disa iniciativave të qeverisë, apo të qenit mbështetës i Bamir Topit ka prodhuar kosto për të në Këshillin Kombëtar?

Së pari, z. Oketa është përfaqësues politik i Partisë Demokratike dhe jo oficer kontakti i njërit apo i tjetrit. Raporti politik është tjetër dhe miqësitë personale janë tjetër. Pra, nuk jam i prirur ta shikoj Oketën si një laraman në tufën e deleve të bardha të PD-së. Çdo deputet i Partisë Demokratike ka individualitetin e tij dhe mendimin e tij politik. Ne nuk jemi repart ushtarak që ecën me hap rreshtor. Secili, përfshi zotin Oketa, është pjesë e tërësisë sonë, pikërisht me mendimin dhe veprimin e tij. Nëse mendimi i zotit Oketa, në një rrethanë të caktuar, është i ndryshëm nga i imi apo edhe i të tjerëve, veprimi politik i Oketës ka qenë thuajse gjithnjë në përputhje me vendimmarrjen kolegjiale të grupit.

Lulëzim Basha dhe ju jeni më të votuarit. Kësaj here është aluduar si një pakt i ju të rinjve në PD, kundër lidershipit të vjetër, e kryesisht ndaj Topallit, e cila prej më shumë se një dekade ka qenë numri dy më i votuar… Si janë marrëdhëniet tuaja me zonjën Topalli?

I pashë spekulimet që thoni ju për gjoja paktin kundër Topallit. Janë marrëzitë e një njeriu që e njeh PD-në vetëm në mënyrë inerciale dhe që nuk ka informacion për mënyrën sesi funksionon aktualisht kjo parti. Nuk ka as pakt Olldashi-Basha kundër Topallit, as pakt Topalli-Olldashi kundër Bashës dhe as pakt Basha-Topalli kundër Olldashit. Një nga fenomenet më interesantë të votimit të fundit në Këshillin Kombëtar të PD-së është fakti që PD-ja reflektoi paqtim, kohezion të brendshëm, çka është posaçërisht e rëndësishme për të gjithë ne.

Nëse më duhet të përgjigjem edhe më drejtpërdrejt, ju them që unë me zonjën Topalli kam një marrëdhënie të konsoliduar në vite. Kemi jo vetëm një miqësi politike, por kemi dhe një marrëdhënie njerëzore shumë të mirë. Dhe, ndryshe nga agresorët e informacionit, unë miqtë e mi as i shes, as i blej dhe as i shkëmbej me armiqtë e armiqve.

Keni humbur bastionet kryesore. Zoti Berisha thotë që keni fituar me 140 mijë vota më shumë, por ndërkohë keni humbur bashkitë kryesore, përfshi disa bastione si Kavaja apo Laçi. Si shpjegohet një firo e tillë dhe pse nuk pati analizë për këtë fenomen?

Analiza e zgjedhjeve nuk mund të bëhej e plotë, përsa kohë zgjedhjet nuk kanë mbaruar tërësisht. Ka ende një numër komunash që rivotohen, kështu që duhet të mbyllet përfundimisht procesi, për të gjitha njësitë vendore.

Ajo që duhet thënë që në fillim është që realisht këto zgjedhje u fituan qartësisht dhe thellë nga koalicioni ynë. Ne kemi 142 mijë vota më shumë dhe fituam Tiranën, që ishte beteja më e rëndësishme elektorale. Kemi fituar gjithashtu shumicën e njësive vendore të Shqipërisë. Kemi humbur vërtet në disa qytete të mëdha, por në qytete që qeveriseshin në mandatin e shkuar nga socialistët. Kemi humbur në Durrës, por e kishin socialistët. Kemi humbur në Fier, por e kishin socialistët, kemi humbur në Vlorë dhe në Korçë, por edhe këtu qeverisnin socialistët. Po kështu edhe në Elbasan.

Çudia ishte Kavaja me Laçin, por të dy këto qytete janë fenomene lokale të përqasura keq nga ne, dhe jo një risi politike, përsa këshillat bashkiakë konfirmuan PD-në si forcë e parë. Gjithsesi, një analizë, jo formale, bëhet në vijimësi. Ka disa fenomene që vihen re në procesin e fundit zgjedhor.

Leksioni i parë është që rikandidimi për herë të tretë apo të katërt i kryetarëve në detyrë, është shumë i rrezikshëm, duke përjashtuar disa pak raste të qarta suksesi.

Leksioni i dytë është që nuk ka zonë që nuk fitohet, sikurse nuk ka zonë që nuk humbet. Kemi fituar bashki që s’i kishim fituar kurrë dhe kemi humbur bashki që s’i kishim menduar kurrë.

Leksioni i tretë është që jo domosdoshmërish një militant shumë i mirë, është një kandidat shumë i mirë. Kjo do të thotë që shqyrtimi i kandidaturave nga grupet e punës në qarqe dhe në forumet vendimmarrëse të PD-së duhet të kishte qenë më i kujdesshëm, për të marrë parasysh më mirë faktorët e riskut.

Leksioni i katërt është ai i Tiranës. Zgjedhjet fitohen në një kombinim harmonik të një fushate të drejtpërdrejtë dhe të hijshme, sikurse ishte fushata e Bashës, me një punë sistematike, kapilare të strukturave të PD-së, të cilat në Tiranë funksionuan në perfeksion.

Së pesti, ndoshta ka ardhur koha që ne të shikojmë strukturën organizative në qytetet e mëdha të vendit ku, për mendimin tim, duhet të orientohemi drejt një njësie territoriale më të vogël sesa nëndega e djeshme apo grupseksioni i sotëm. Ndoshta duhet parë mundësia e organizmit në bazë lagjesh.

Këto janë vetëm disa opinione paraprake mbi atë çka shënuan zgjedhjet e fundit.

Ju keni qenë zëri i parë në PD, që në një intervistë të mëparshme për “Mapo”-n keni deklaruar se nuk do e votonit Bamir Topin për një mandat të dytë, për President. Tashmë zërat publik që mbështesin këtë gjë janë shtuar nga radhët e PD-së. Pas korrikut 2012, kur edhe i mbaron mandati, a mendoni se Topi mund të ketë sërish të ardhme në strukturat e PD-së?

Kam qenë kundër kandidaturës së z.Topi që përpara zgjedhjes së tij, katër vjet më parë. Duke njohur karakterin e tij inatçor dhe sistemin e tij të mospunës, jam shprehur publikisht në dhjetor 2006 kundër kandidaturës së tij. Kam qenë i bindur që do të ishte një President i keq. Pas kësaj, në fushatën time për Bashkinë e Tiranës, më 2007, unë pashë, pa mundur ta ndaloj dot, sesi z.Topi ushtroi të gjithë pushtetin e vet të atëhershëm për të mbështetur Edi Ramën. Zoti Rama e shpërbleu për këtë shërbim, duke i lënë bosh fushën e lojës për Presidencën. Refuzimi i Ramës për të propozuar Nanon, ishte pikërisht hapje fushe për Topin. Nëse Rama do të kishte propozuar Nanon si përfaqësues të Partisë Socialiste, të gjitha shanset ishin që të dyja kandidaturat të digjeshin dhe President të zgjidhej një figurë kompromisi e tipit të Moisiut, qoftë edhe po aq budalla sa ky. Z. Rama u fut në kolaps me Nanon dhe të tijtë, vetëm e vetëm për t’i lënë fushë të lirë Topit, që ky të fillonte të bënte gola jo më në portën e kundërshtarit, por në portën e partisë që e zgjodhi President.

Për këtë shkak kam qenë i pari që jam shprehur publikisht kundër.

Tani, z. Topi bëri të njëjtën gjë kundër z.Basha, përdori përsëri të gjithë pushtetin e tij për të penguar zgjedhjen e Bashës në Bashki. Përdori rrethin e vet të influencës për të prodhuar vota kundër Bashës, përdori Këshillin e Lartë të Drejtësisë për të kërcënuar gjyqtarët dhe madje përdori edhe votën e tij dhe, pa pikën e turpit, del dhe thotë se vota e tij ishte “korrekte”. Vetëm një debil politik mund të përdorë një gjuhë të tillë.

Një parti politike ndodh që edhe ta falë një “tradhti”, por shumë të tilla, zor se t’i fal kush.

Sa e mundur do të jetë për Partinë Demokratike të shkojë drejt një mandati të tretë qeverisës në zgjedhjet e 2013-s, duke pasur parasysh fitoren e Tiranës, por edhe faktin që asnjë forcë politike në këto 20 vjet nuk është rikonfirmuar dot për herë të tretë?

E shoh realisht shumë të mundshëm rikonfirmimin e Partisë Demokratike për një mandate të tretë qeverisës.

Së pari, sepse koalicioni ynë funksionon dhe provoi në zgjedhjet lokale se është një mazhorancë solide me një avantazh të konsoliduar prej 142 mijë votash mbi kundërshtarët tanë. Në këtë prizëm, ne duhet vetëm të mirëadministrojmë këtë avantazh, duke vazhduar qeverisjen e mirë dhe përqendrimin maksimal të të gjitha energjive dhe vëmendjes për të realizuar programin me të cilin ne fituam zgjedhjet e vitit 2009 dhe këto të vitit 2011.

I vetmi rrezik që shoh për qeverisjen janë brejtësit dhe karkalecat. Brejtësit e pushtetit, kategori njerëzore e tmerrshme, që vërtiten në të gjitha portat e ministrive, duke spekuluar me gjoja njohje, lidhje apo kontribute dhe që tentojnë të futen nën çdo derë për të krijuar sistemin e vrimave prej nga ku mund të përfitojnë monedhat e arta që u shkëlqejnë në dritën e hënës dhe që u nxijnë surratin në dritën e diellit. Karkalecat që mendojnë që mund të shijnë në lëmin e pushtetit, duke pretenduar që, kokrrat e drithit që kërkojnë, janë aq pak sa u takojnë. Por, kokërr pas kokrre, bëhen ca si shumë.

Gjithsesi, ky është një rrezik i evitueshëm

Së dyti, jam i bindur që fitorja e Tiranës dhe vënia në jetë e modelit qeverisës që Basha ka paraqitur te qytetarët, do të jetë një bonus i ndjeshëm, jo thjesht në Tiranë, por me një reflektim edhe në qytetet e tjerë të vendit.

Rama pat ngritur në mënyrë demagogjike një perceptim për gjoja modelin qeverisës të Tiranës. Basha ka gjithë mundësinë tani që t’i tregojë Tiranës, por jo vetëm, se çfarë është një model i vërtetë mirëqeverisës, krahasuar me marmelatën që u serviri Rama qytetarëve për 11 vjet rresht.

Së treti, një faktor ndihmës do të jetë vetë gjendja e amullt e Partisë Socialiste. Në Durrës, ku unë jam rritur, ka një shprehje sipas së cilës “Bylmezi e gjen vetë rrugën e humbjes”. Zoti Rama ka treguar që gjëja që di të bëjë më mirë si kryetar partie, është të gjejë rrugën e humbjes.

Dhe duke qenë se ka pak gjasa që diçka në Partinë Socialiste të ndryshojë përpara 2013-s, besoj se kjo do të ketë ndikimin e vet pozitiv. Një opozitë që nuk tregon asgjë, ia bën më të lehtë rrugën një mazhorance me një bilanc tërësisht pozitiv.

Pse mendon që nuk do të ndryshojë asgjë në PS, ndërkohë që duket se ka filluar një lëvizje brenda kësaj partie. I referohem zërave si Islami, Harasani, Malaj dhe së fundmi edhe z. Braçe?

Nuk besoj se do të ketë ndryshim, sepse shoh që Islami dhe Harasani janë shpallur de facto armiq, ndërkohë që nuk më duket bindëse dhe e vendosur platforma e z. Malaj. Mesa shoh unë, e vetmja platformë që ka një elaborim është ajo e z.Braçe, por nuk besoj se ky ka fuqinë e duhur politike për ta çuar këtë deri në sukses. Kështu që…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›