E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Rama t’i japë fund lojës politike me ujin

Ministri Olldashi ka akuzuar sot kryebashkiakun e Tiranës se është faktori pengues për transferimin e kompetencave për ujësjellësin nga pushteti qendror tek ai vendor. Olldashi i bëri thirrje Ramës që të marrë përgjegjesite që i takojnë 

TIRANE- Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i bëri thirrje Bashkisë së Tiranës të marrë përgjegjësitë për administrimin e shoqërisë së Ujësjellësit.
Thirrja adresuar Bashksië së Tiranës nga ana e Ministrit të Transportit u bë gjatë një workshop-i të organizuar të martën në MPPTT, mbi "Forcimin e rolit të Entit Rregullator të Ujit". Në fjalën e tij për këtë cështje, Ministri Olldashi tha se deri tani proçesi i transferimit të shoqërive të Ujësjellësve është realizuar në masën 83 %.
Ministri Olldashi i bëri thirrje bashkisë së Tiranës "të marrë përsipër përgjegjësitë e veta dhe të jetë koherente me veten dhe të kryejë e të përmbushë detyrimet për të realizuar këtë proçes, duke i dhënë fund lojës politike me ujin".
Në këtë linjë ai theksoi se do të ishte e padenjë që bashkia e Tiranës të spekullonte me këtë problem dhe ta mbante peng për t'a përdorur politikisht, diçka që nuk duhet përdorur politikisht, pasi, sipas tij, "uji shërbehet për të majtë e të djathtë si dhe për të vegjël e të mëdhenj".
Sipas Olldashi procesi i transferimti te kompetencave duhet të kishte përfunduar.
"Proçesi i transferimit duhet të kishte përfunduar tashmë dhe organet e pushtetit vendor duhet të kishin marrë përgjegjësitë për administrimin e tyre, por puna ka ngecur në dy bashkitë më të mëdha të vendit, atë të Tiranës dhe Durrësit", deklaroi Olldashi.
Sipas tij, "problemi bëhet edhe më i mprehtë nga fakti se rezulton të ketë një frymë totalisht demagogjike ndaj ujit nga disa segmente të pushtetit vendor, kryesisht nga bashkia e Tiranës, e cila ka shërbyer si model i keq edhe për Bashkinë e Durrësit".
"Prej vitesh ka patur thirrje nga bashkia e Tiranës drejtuar qeverisë për transferimin e sistemit dhe ka mëse një vit që ky sistem është transferuar pranë organeve të pushtetit lokal, por Bashkia e Tiranës nuk merr përsipër dhe tenton të luajë politikisht me një materie që nuk ka as ngjyrë, shije, as erë, sikurse është uji", deklaroi ministri Olldashi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›