Olldashi Sduhet te kete me lojtare mesfushore
Bindjen se demokratët do të mundin mazhorancën e re në betejën elektorale të 2015-ës, Sokol Olldashi e deklaroi edhe në Librazhd, Rrogozhinë dhe Kavajë ku vijoi fushatën për t’u votëbesuar si kryetari i ardhshëm i Partisë Demokratike.
Demokratët nuk mund të presin që kundërshtari i tyre të bjerë vetë, -tha Olldashi, ndërsa rithesksoi nevojën që Partia Demokratike duhet të të kthehet në një makineri politike dominuese në terren dhe një parti me strukturë të balancuar.
“Ne nuk mund të presim që ata të bien vetë nga pushteti. Ne nuk mund të presim të humbasë Edi Rama. Jo, ne nuk do të presim. Ne do ta rrëzojmë Edi Ramën. Por që të rrëzojmë Edi Ramën duhet domosdoshmërisht të bëjmë disa ndërhyrje : Duhet një betejë e tmerrshme opozitare në parlament, por me një strukturë të balancuar, të vënë edhe nën përgjegjësi, edhe mbi stimul dhe të inventarizuar me kontributet e gjithsecilit, në mënyrë që partia të jetë e drejtë me gjithsecilin. Këto ndërhyrje e bëjnë Partinë Demokratike dinamike, e bëjnë dominante në terren, e bëjnë absolutisht një makineri që nuk ka asgjë që ta ndalë. Dhe në qoftë se mekanizimi do të funksionojë dhe ne, që në ditën e pare do të bëjmë një betejë të jashtëzakonshme opozitare në parlament, unë jam i bindur që ne rikthehemi fitues në përballjen e parë elektorale që kemi me kundërshtarin tonë, në zgjedhjet lokale të vitit 2015. “
Olldashi foli për paketën e ristrukturimit të institucioneve të PD-së dhe për aksionin opozitar. Duke përforcuar qëndrimet për një konfigurim të qartë të poleve politike ne vend, Sokol Olldashi tha se në politikën shqiptare nuk mund të ketë më lojtarë mesfushorë.
“Kundërshtari ynë në bllok është ish Partia e Punës, ndërsa Partia Demokratike është shtëpia e opozitarëve” - deklaroi Olldashi.