E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi, bllokim punimeve në sheshin Skënderbej

Thellohet konflikti Bashki-Qeveri


Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi paralajmëroi dje në një emision televiziv se punimet në sheshin Skënderbej do të bllokohen, sepse janë të paligjshme. Sipas Olldashit, për punimet në shesh, kryebashkiaku Edi Rama nuk ka marrë leje mjedisore nga Inspektorati i Mjedisit. Gjithashtu, sipas Olldashit, një tjetër instancë nga e cila Rama ende nuk ka marrë leje është

dhe Instituti i Monumenteve. Një tjetër fakt që i bën këto punime të jashtëligjshme, është dhe një vendim i miratuar në kohën e qeverisë Meta, asokohe ministër Kulture Rama, sipas të cilit në këtë shesh nuk lejohen ndërhyrje pasi është konsideruar Qendër Historike.


Olldashi paralajmëron prishjen e ndërtimeve pa leje
Gjatë ditës së djeshme, Olldashi ka paralajmëruar gjithashtu se Inspektorati i Ndërtimit do të fillojë një fushatë kundër ndërtimeve pa leje bazuar edhe në ndryshimet ligjore të bëra së fundmi. Sipas ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi mësohet se ka pasur dhe ka një problem vazhdimisht shqetësues me situatën e ndërtimeve të paligjshme në territor dhe mbi kontrollin mbi territorin. Jam i bindur që me këto dy element të rinj, me Kryeinspektorin e ri dhe me ndryshimet në ligjin, inspektorati do di ti përgjigjet shumë më mirë  nevojës që ka për të kontrolluar dhe për të ushtruar detyrimet  veta ligjore mbi territorin, theksoi Olldashi. Sipas tij, situata është e tillë, që nuk kemi më vetëm individë, qytetarë që ndërtojnë në mënyrë ekstraligjore, por kemi filluar së fundmi të kemi dhe institucione të pushtetit vendor që po abuzojnë me ligjin dhe po ndërtojnë në mënyrë të paligjshme, besoj që qëndrimi duhet të jetë i njëjtë ndaj të dyja palëve, ndaj shkeljes së ligjit janë njësoj si qytetarët si institucionet.


Ligji për inspektoratin
Sipas ndryshimeve të bëra në ligjin bazë, përcaktohet se Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar mund të ndërhyjë në terren, nëse sheh se inspektorati lokal, që kontrollohet nga pushteti vendor, nuk ka kryer detyrën e tij në inspektimin e ndërtimit. Në këtë nismë ligjore thuhet: Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, përveç detyrave të tjera,  të parashikuara në këtë ligj, ka të drejtë të ushtrojë, përjashtimisht, dhe përgjegjësitë e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të bashkisë apo komunës për ndërtime të kundraligjshme në territorin e bashkisë apo komunës që nuk përfshihen në zonat dhe objektet me rëndësi kombëtare sipas këtij ligji në rastet kur ekzistojnë kushtet dhe rrethanat e përcaktuara në ligj. Gjithashtu Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ushtron ndërhyrje në kantierin e ndërtimit apo në objektin e inspektimit vetëm atëherë kur ky proces nuk është bërë nga autoritetet lokale apo atëherë kur nuk ka dokumentacion të plotë nga ndërhyrja e autoriteteve lokale. Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ndërhyn atëherë kur autoritetet lokale nuk kanë dhënë një vendim për inspektimin; kur nuk ka ekzekutuar vendimin për prishjen e objektit pa leje; si dhe atëherë kur institucionet shtetërore kërkojnë ndërhyrje nëse është cenuar prona publike. Gjatë kësaj detyre, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka të drejtë të bëjë edhe kallëzime penale apo të kërkojë heqjen e licencës së aktivitetit për subjektet private. Inspektimi njëkohësisht, përcaktohet edhe mënyra e inspektimit, i cili do të jetë periodik nga ana e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.


Kontrollet
Inspektorati do të bëjë kontrolle të vazhdueshme për të parë punën e autoriteteve lokale të inspektoratit. Për regjistrimin e ndërtimeve projektligji parashikon se 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar duhet të krijojë një regjistër të posaçëm, ku do të evidentojë çdo ndërtim të ri të kontrolluar. Ky regjistër do të mbajë të dhënat për ndërtimet në çdo pjesë të territorit të vendit. Në relacionin e projektligjit thuhet se nuk cenohet autonomia lokale. Një tjetër pikë e këtij projektligji përcakton se edhe nëse nis një ankim në gjykatë për ndërhyrjen e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, prishja e ndërtimit nuk ndalet, por ekzekutohet i plotë. Projektligji parashikon se nëse gjykata i jep të drejtë me vendim të formës së prerë, atëherë Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar duhet të dëmshpërblejë subjektin e prekur. Kjo do të thotë se nëse inspektorati vendos të prishë një ndërtim, ai ka për tu prishur, pavarësisht nëse pronari i saj pretendon se ka leje të rregullt ndërtimi apo ka zbatuar rregullat teknike.


Gjergj Bojaxhi, në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar
Ministri i Transporteve Sokol Olldashi ka emëruar në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, Gjergj Bojaxhi. Në prezantimin e drejtorit të ri Olldashi u shpreh se Bojaxhi do ti japë përmasën e duhur këtij inspektorati. Sikurse thonë me pinca bëri shumë punë, me buldozerë do bëjë akoma më shumë, tha ministri. Në prezantimin para mediave situata e ndërtimeve pa leje në të gjithë hapësirën e vendit është cilësuar si kancer. Madje kjo sëmundje pas individëve, sipas Olldashi ka zënë edhe institucionet.
Emërimi i Bojaxhi, si kreu i Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit përkon edhe me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të urbanistikës, i cili i jep kompetenca të reja atij. Sipas Olldashit Kryeinspektori i ri i Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar, Gjergj Bojaxhiu është emëruar në kohë me  hyrjen në fuqi të ndryshimeve të  ligjit Nr. 10240, datë 25.02.2010 që kemi bërë Për Inspektoratin  e Ndërtimit. Duke vlerësuar këtë moment si shumë të rëndësishëm Olldashi u shpreh se beson që do të jenë një shtysë për ti dhënë një tjetër dimension punës së Inspektoratit. Gjergj Bojaxhi dha dorëheqjen nga drejtimi i KESH në shtator 2009, duke e cilësuar misionin e tij në korporatë të realizuar.

Deklarata e Gjergj Bojaxhi
Unë e shikoj fenomenin e ndërtimeve pa leje si një kancer që vazhdon të deformojë hapësirat urbane në qytetet dhe fshatrat tona, si një evazion fiskal i cili është i dukshëm dhe që rëndon drejtpërdrejtë në arkat e pushtetit lokal. Inspektorati do të ketë zona prioritare si akset rrugore, akset energjetike, parqet kombëtare, kurora e gjelbër e kryeqytetit të vendit si dhe zonën e bregdetit, peizazhi i të cilës është një pasuri kombëtare dhe ne në mënyrë sistematike do ta pastrojmë nga ndërtimet pa leje tha Bojaxhi. Inspektorati do të ketë zona proritare si akset rrugore, akset energjetike, parqet kombëtare, kurora e gjelbër e  kryeqytetit të vendit si dhe zonën e bregdetit, peizazhi i të cilës është një pasuri kombëtare dhe ne në mënyrë sistematike do ta pastrojmë nga  ndërtimet pa leje. Ky do të jetë  një proces i vështirë por tepër i nevojshëm dhe i domosdoshëm në mënyrë që Shqipëria të këtë një zhvillim të qëndrueshëm  urban dhe ekonomik, tha Bojaxhiu.

Rastet kur një ndërtim përbën shkelje
Përbëjnë shkelje ligjore rastet e ndërtimit të volumeve të tepërta, në lartësi ose në gjerësi të objektit, shtesë kati ose shtesë anësore. Gjithashtu përbëjnë shkelje ndryshimet e përmasave në gjatësi, gjerësi, lartësi më të mëdha ose më të vogla se ato të miratuara. Një tjetër pikë që konsiderohet shkelje ligjore është ndryshimi në arkitekturën e fasadës së objektit, krahasuar me projektin e miratuar si dhe rrethimi i objektit që nuk është bërë sipas plan-organizimit të miratuar. Inspektorati i Ndërtimit konsideron shkelje edhe mosrespektimin e kuotave të lartësisë së kateve me ato të miratuara, mungesat e masave të sigurimit teknik të objektit dhe të mbrojtjes së jetës së njerëzve si dhe ndotjen e mjedisit nga ndërtimi i objektit.

Ornela Manjani

Last Updated on E Enjte, 08 Prill 2010 21:50

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›