E Diel, 1 Nëntor 2026

Hipoteka nis punën për shpërndarjen e 310 mijë tapive të reja

BB dhe një kompani daneze do të kryejnë regjistrimet kadastrale në 70 zona të ndryshme


Rreth 310 mijë tapi do të shpërndahen në 72 zona kadastrale në të gjithë vendin. Gjithçka do të realizohet brenda këtyre dy viteve. Dëftesat e pronësisë do të shpërndahen në dy etapa. Në fazën e parë regjistrimi kadastral do të kryet nga një kompani daneze e cila do të dokumentojnë 190 mijë prona. Ndërsa në fazën e dytë do të regjistrohen 120 mijë prona.

Kontrata 2-vjeçare mes Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe kompanisë daneze është nënshkruar dje.


Marrëveshja
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe kompania daneze BlomInfo A/S nënshkruan kontratën për Regjistrimin Fillestar të 50 zonave të tjera kadastrale, në mbarë vendin. Burime zyrtare nga Hipoteka kanë të ditur se regjistrimi Fillestar në këto 50 zona kadastrave. Në këtë projekt  përfshihet regjistrimi fillestar të rreth 190 mijë pasurive, në zonat urbane, në disa qytete të Shqipërisë. Për ZQRPP-në Kontrata u nënshkrua nga Kryeregjistruesi i Republikës, Arben Qirjako, ndërsa për palën daneze kjo kontratë u nënshkrua nga Kristian Skak-Nielsen, Drerjtori i kompanisë, BlomInfo A/S.
Sipas të njëjtave burime mësohet se kontrata ka një afat 2-vjeçar dhe përfundon në prill të vitit 2012. ndërsa në lidhje me përcaktimin e kompanisë daneze për kryerjen e këtij procesi mësohet se përzgjedhja pasi ajo doli fituese për regjistrimin e 50 Zonave Kadastrale, u bë pas një tenderi ndërkombëtar, të organizuar nga ZQRPP, me miratimin e Bankës Botërore. Ndërsa përzgjedhja e zonave, që do ti nënshtrohen projektit të Regjistrimit të tyre Fillestar, u përzgjodhën nga një grup ndërministror, i kryesuar nga Ministri i Drejtësisë. Organizimi i këtij tenderi është pjesë e Projektit për Administrimin dhe Menaxhimin e Tokës, i iniciuar nga Qeveria Shqiptare dhe i financuar nga Banka Botërore.

Banka Botërore
Ndërkohë, si pjesë e këtij projekti të financuar nga Banka Botërore, një tjetër kompani është duke punuar për Regjistrimin Fillestar të rreth 120 mijë pasurive të tjera, në 22 zona kadastrale, përfundimi i të cilave pritet të ndodh në maj të vitit 2011. Burimet zyrtare nga Hipoteka bënë të ditur dje se në Shqipëri po ndërtohet sistemi i ri i regjistrimit të pasurive të paluajtshme bazuar në Ligjin Nr. 7843, datë 13.07.1994  Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Sipas të njëjtave burime mësohet se baza e këtij sistemi krijohet nëpërmjet procedurës së Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme nën drejtimin e Kryeregjistruesit të Shqipërisë. Për të mbështetur ndërgjegjësimin publik dhe pjesëmarrjen e pronarëve, paralel me këtë projekt, financuar po nga Banka Botërore po zhvillohet edhe Projekti Fushata e Ndërgjegjësimit Publik për të mbështetur regjistrimin e pasurive të paluajtshme.


Ligji
Objekt i veprimtarisë së zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme është regjistrimi i titujve të pronësisë dhe të drejtave të tjera reale për pasuritë e paluajtshme në bazë të dokumenteve ligjore, që vërtetojnë pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme, si dhe përgatitja, mbajtja dhe administrimi i regjistrave të pasurive të paluajtshme, hartave treguese të regjistrimit dhe dokumentacionit, që vërtetojnë të drejtën e pronësisë dhe të drejtat e tjera reale mbi pasurinë e paluajtshme. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme përbëhet nga zyra qendrore dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Këto zyra janë persona juridikë publikë. Struktura organizative dhe limiti organik i punonjësve të kësaj Zyre caktohen nga Kryeministri me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme drejton, organizon dhe kontrollon veprimtarinë e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme drejtohet nga Kryeregjistruesi dhe në mungesë të tij, nga njëri prej dy zëvendës krye regjistruesve. Kryeregjistruesi emërohet dhe shkarkohet nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Zëvendës krye regjistruesit emërohen dhe shkarkohen nga Ministri i Drejtësisë, me propozimin e Kryeregjistruesit.

Ornela Manjani

Last Updated on E Enjte, 08 Prill 2010 19:13

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›