Olldashi i përgjigjet Ramës: Kreu i PS nuk është në metro

Ministri i punëve publike dhe transportit Sokol Olldashi i ka cilësuar spekulime dhe të pabaza deklaratat e kreut të selisë rozë Edi Rama të bëra një ditë më parë nga ana e tij sa i përket planit infrastrukturor në vend. Kreu i transporteve tha se gjatë këtyre viteve është punuar në bazë të një plani kombëtar për infrastrukturën. Plan ky i cili sipas tij ka qenë i detajuar për të gjitha investimet.
“Rama tha se rrugët bëhen pa plan. Në 2006-ën është miratuar plani kombëtar i transportit që ka një analizë të zhvillimit ekonomik, analizën e trafikut të mallrave dhe të njerëzve dhe detajimin e infrastrukturës rrugore. Ky plan është financuar nga KE-ja të dhëna për qeverinë shqiptare dhe gjithashtu kemi nënshkruar memorandumin për tranpsortin” ka shtuar Olldashi.
Po ashtu kreu i transporteve tha se kreu socialist duke iu referuar kilometrave të rrugëve të ndërtuara, i ka pjesëtar me 10 atë që është realizuar nga qeveria e djathtë që prej vitit 2005. Ndërsa për sa i përket standarteve në rrugë Olldashi tha se është punuar në ndërtimin e akseve rrugore duke adoptuar standartet itraliane të rrugëve.
“Rama i pjestoi me dhjetë km e rrugëve por në fakt do t`ju japë statistikën reale dhe janë 270 miliardë lekë të reja të investuara përmes drejtorisë së përgjithshme të rrugëve dhe janë 2056 km rrugë të ndërtuara ose 70 përqind e rrjetit rrugor. Kryeministri ka dhënë shifër të pasaktë, ka thënë 9 mijë km, në fakt janë 9103 km që qeveria e këtij vendi ka bërë rrugë në territorin e Shqipërisë. Shifër që Rama nuk mund t’i pjesëtojë as me dhjetë e as me dymbëdhjetë” theksoi Olldashi.
Sa i përket numrit të aksidenteve zoti Olldashi tha se gjatë këtyre viteve është rritur numri i kilometrave të rrugëve të ndërtuara por edhe është dyfishuar numri i automjeteve, çka sipas tij krahasimet e bëra nga zoti Rama nuk qëndrojnë.
Në fund të deklaratës së tij, ai dha një mesazh për kryesocialistin.
“ Gjithcka që tha Rama dje është një spekullim i paturpshëm politik. Udha është e pafund, as i heq as i shton gjë, secili e mat me metrin e vet. Ndaj unë sot them: Rama nuk është në metro”, tha ministri.