E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi letër Ramës: Të takohemi për sheshin

TIRANE- Pas debateve dhe kundërshtimeve të lidhura me projektin për rindërtimin e sheshit Skënderbej, Ministri i Transporteve Sokol Olldashi i kërkon kryebashkiakut Rama të takohen e të bisedojnë për këtë cështje.
Përmes një letre zyrtare Olldashi i kërkon Edi Ramës të diskutojnë bashkë mbi sheshin për rindërtimin e të cilit qeveria ngre shqetësimin e mungesës së një zgjidhjeje për trafikun e automjeteve.
Një ditë më parë, kreu i qeverisë Sali Berisha i kërkoi Ministrit të Transporteve ti ofrojë bashkëpunim kryebashkiakut , me qëllim zgjidhjen e problemit të trafikut në qendër të kryeqytetit.

Në mbledhjen e djeshme te Këshillit të Ministrave, Kreu i Qeverisë u shpreh se "ndërtimi i sheshit "Skënderbej" nuk duhet të shndërrohet në kapital politik, por duhet të kryhet në një bashkëpunim të ngushtë me autoritetet qendrore dhe vendore".
Tirana, sipas tij "problemin më kryesor ka atë me trafikun dhe projekti i ri e përjashton sheshin nga funksioni i tij kryesor që ka aktualisht, trafiku". Kjo, tha Kryeministri "rrezikon të zhysë në një kaos total qarkullimin dhe trafikun në Tiranë".Ndërkaq Berisha kundërshtoi dhe pretendimin për largimin nga ky shesh të monumentit të Skënderbeut.
Kryetari i Bashkisë Edi Rama iu përgjigj kryeministrit Berisha duke theksuar se nuk do të ketë zhvendosje të monumentit të Skënderbeut nga sheshi.

Sheshi “Skënderbej” u shndërrua kohët e fundit në një “mollë sherri” mes pushtetit vendor dhe atij qëndror. Debatet rreth tij u thelluan institucionalisht pasi qeveria deklaronte se Bashkia nuk mund ta rregullojë sheshin, ndaj rikosntruksioni do bëhej nga buxheti i shtetit. Ndërkohë Bashkia e Tiranës i paraprin deklaratave qeveritare duke nisur punimet në shesh në bazë të një plani të projektuar dhe të fituar nga një studio belge.

Sipas Bashkise se Tiranes, rikonstruksioni i këtij sheshi është marrë përsipër nga një kredi e marrë nga Kuvajti dhe vlera shkon në 4.3 milionë euro. Punimet në sheshin "Skënderbej" do të kryhen sipas projektit të hartuar nga studio belge "51N4E", fituese e Konkursit Ndërkombëtar që u zhvillua vitin e kaluar, ku gjithë qendra e Tiranës pritet të pësojë një ndryshim tërësor.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›