E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët nuk dinë t‘i përdorin armët

Punonjësit e policisë nuk
dinë të përdorin armët. Ky
problem me përmasat e një
skandali është bërë prezent vetëm
pak kohë më parë te drejtuesit e
policisë, që kanë mbetur të shtangur
përballë një fenomeni të tillë.
Konkluzioni është arritur nga specialistët
e Drejtorisë së Përgjithshme
të Policisë së Shtetit, pasi janë
kryer ushtrime qitjeje në periudha
të ndryshme kohe të njësive të
ndryshme policore në të gjithë
vendin. Madje, kjo ka sjellë edhe
reagimin e drejtuesve të policisë,
të cilët kanë kërkuar të hartohen
programe të reja për kontrollin e
tyre dhe të ndërtohen urgjentisht
poligone qitjeje, që mungojnë totalisht.
Evidentimi i skandalit
Specialistët e policisë tregojnë
se odiseja e këtij skandali të rëndë
ka nisur rreth dy vite më parë. Pavarësisht
se janë bërë vërejtje herë
pas here, problemet mbeten
pothuajse të njëjta. Gjatë një seance
stërvitore të përgatitur nga
krerët e policisë, specialistë të trajnimeve
kanë organizuar kontroll
në "poligonet" e improvizuar në
periferi të kryeqytetit. Por, gjatë
këtij inspektimi është vënë re një
joprofesionalizëm skandaloz,
duke nisur nga papërgjegjshmëria
e punonjësve të policisë për
kujdesin ndaj armës, deri te përgatitja
tejet e dobët profesionale e
tyre gjatë qitjes. Madje, shumë
punonjës policie nuk janë paraqitur
fare në testim. Për këtë problem,
specialistët kanë lënë një sërë
detyrash për eprorët përkatës, por
ato nuk janë zbatuar asnjëherë.
Madje, në vitin 2007 policia ka
bërë vetëm një seancë qitje me
pistoletë, ku nuk merrnin pjesë të
gjithë efektivët e saj. Kjo situatë
është konstatuar në të gjitha drejtoritë
e policisë në qarqe, duke
thelluar më tej përmasat e këtij
fenomeni skandaloz.
Amatorizmi me armën
Në raportet e përgatitura pas
ushtrimeve me qitje, specialistëtkontrollorë
kanë ngritur një sërë
shqetësimesh për administrimin,
ruajtjen dhe mirëmbajtjen e armatimit
personal nga punonjësit
e policisë. Burimet shpjegojnë se
në ato pak raste seanca qitjesh, një
pjesë e uniformave blu, e sidomos
ato femra, nuk kishin marrë as pistoletën
e tyre me vete. Dhe kjo, sipas
disa urdhëresave të
brendshme për zhvillimin e
testimit, të cilat përcaktonin që
qitja të bëhej me armën personale
të secilit punonjës. Gjithashtu,
një pjesë dërmuese e efektivit nuk
ka marrë pjesë në këto qitje dhe
më së shumti pjesëtarë të shërbimeve
mbështetëse dhe nga seksioni
i pasaportave. E kjo nuk
mbaron me kaq, pasi ekspertët
deklarojnë se një pjesë e madhe e
punonjësve të policisë të rolit
bazë, punonjëset femra në
përgjithësi, por edhe policë të reparteve
të tjera, nuk njohin mirë
përdorimin e armës, deri në gjëra
elementare, si nxjerrja e armës nga
këllëfi, mbushja e saj, heqja e krehrit,
ndalimi i zjarrit, e shumë të
tjera. Gjithashtu, gjatë seancave të
kontrollit, një pjesë e mirë e
punonjësve të policisë nuk marrin
me vete numrin e nevojshëm
të fishekëve në krehër (7 copë), por
më pak dhe nuk mbajnë me vete
as krehrin rezervë. E jo vetëm kaq!
Burimet shpjegojnë se gjatë këtyre
seancave është vënë re se një
pjesë e madhe e pistoletave janë
të papastra dhe me ndryshk, dhe
për pasojë gjatë qitjes ka pasur
shpesh bllokim të tyre, duke
detyruar ndërhyrjen në vend nga
specialistët e armatimit, për
eliminimin e defekteve dhe realizimin
e qitjes, qoftë edhe me
armë tjetër. Madje, punonjësit e
policisë kanë shfaqur edhe probleme
të tjera me armatimin, duke
treguar moskujdes amatoresk. Sipas
specialistëve, në disa raste
është vënë se edhe oficerët nuk
kanë këllëf për pistoletën, ose i
kanë këllëfë të hapur. Nuk kanë
vegla pastrimi e sidomos vaj
armësh dhe municionesh, të
detyrueshme në përdorim nga
punonjësit. Në disa raste municionet
nuk janë në sasinë që ata
kanë në ngarkim, ose armatimi
është jashtë përdorimit.
Mungesa e stërvitjes
Policia, duke parë këto probleme
të armatimit, të cilat mund të
sjellin edhe ngjarje të rënda, ka argumentuar
se shumë uniforma blu
nuk dinë të kujdesen për armët e
për më tepër t‘i përdorin ato. Dhe
me qëllim që në të ardhmen të
ketë rezultate më të mira në qitjet
luftarake dhe punonjësit e policisë
të administrojnë, ruajnë e
mirëmbajnë armatimin personal
sipas rregullave e normave të
përcaktuara, janë lënë për detyrë
të merren masa të ndryshme
imediate. Por duket se shumë
prej këtyre masave nuk janë marrë
ende. Specialistët shpjegojnë
se e gjithë kjo situatë vjen nga
mungesa e stërvitjes. Aktualisht,
policisë i mungojnë poligonet e
qitjes, për më tepër ato të stërvitjes.
Ndryshe nga gjithë vendet
e botës, policia shqiptare nuk ka
poligone të mbyllura. Të vetmet
prova që janë bërë, kanë qenë në
poligone të hapura të improvizuara
në periferi të qyteteve.
Madje ka shumë rrethe, ku
punonjësit e policisë nuk mbajnë
mend se kur ka qenë hera e fundit
që kanë bërë qitje. Kështu, policisë
duket se i mbetet ta provojë
veten në përdorimin e armës
vetëm në raste dasmash, ose kur të
dalë për gjueti.

Policia e Tiranës u "rikthehet" qitjeve, por harrohen rrethet

Stërvitja e fundit e policisë për
përdorimin e armëve është
kryer para pak ditësh dhe nga informacionet
e mbledhura rezulton
se ajo ende vazhdon. Por, kjo
stërvitje-kontroll është realizuar
vetëm nga Drejtoria e Policisë së
Tiranës. Burimet policore shpjegojnë
se para pak ditësh ka nisur
stërvitja për qitje me automatik.
Shumë punonjës policie janë
njoftuar për ditën dhe orën kur do
të merrnin pjesë në stërvitje, por
në disa raste nuk janë paraqitur.
Burimet policore të kryeqytetit
shpjeguan se stërvitja u realizua
në zonën e Babrrusë, ku është
improvizuar një poligon qitjeje i
hapur. Megjithatë, detyrat përkatëse
nuk kanë lejuar shumë
oficerë të marrin pjesë në këto
qitje. Sipas specialistëve, probleme
u evidentuan edhe gjatë
kësaj qitjeje, pothuajse të ngjashme
me herët e tjera, ku u vu re
edhe mungesa e punonjësve të
policisë për të testuar veten dhe armatimin.
Por, me gjithë mungesat,
policia e Tiranës ka mundur ta realizojë
këtë test qitjeje, ndërkohë
që problemi qëndron te drejtoritë
e tjera të policisë në qarqe. Burimet
shpjegojnë gjithashtu se prej kohësh
nuk janë bërë qitje nëpër qarqe,
duke vërë në dukje se ky problem
është edhe më i theksuar nga
viti në vit. Por seancat e rralla, të
realizuara nga grupet e punës në
polici, nuk mjaftojnë për shefat e
mëdhenj që të jenë të qetë, teksa
një punonjës policie që mban
armën në brez nuk ka garanci
nëse di ta përdorë mirë atë apo jo.
"Duke parë se ka punonjës policie
që nuk dinë të kujdesen për
armën e tyre personale, si mund
të bindemi se ai di ta përdorë me
mjeshtëri atë", shprehen specialistët
e trajnimit. Kështu ka lindur
nevoja të aplikohen praktika të
thjeshta mësimore për përdorimin
e armatimit personal nga
punonjësit e policisë, sidomos ata
të trupës së shërbimit, me qëllim
perfeksionimin e përdorimit të
armatimit nga ana e tyre. Kjo gjë
kërkohet të bëhet gjatë instruksioneve
para marrjes së shërbimit,
në vende të posaçme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›