Olldashi sot në komision për Autoritetin Rrugor në Shqipëri
Komisioni Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi dje për projektligjin "Mbi Autoritetin Rrugor në Shqipëri". Zëvendësministri i Transporteve, Ernest Noka, tha se ngritja dhe vënia në funksionim e Autoritetit Rrugor Shqiptar synon të zëvendësojë Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Sipas tij, Autoriteti do të funksionojë sipas standardeve të BE-së dhe ka për detyrë të operojë në mënyrë të tillë në të gjitha veprimtaritë që organizon për të garantuar sigurinë e të gjithë përdoruesve të rrugës, si dhe të ndërmarrë studime, kërkime shkencore dhe eksperimente për eficiencën, trafikun, qarkullimin dhe sigurinë rrugore. Projektligji i ri parashikon që ministri mund të ndërmarrë vendimin për kalimin e një pjese të rrugëve, me pronar shtetin apo me pronarë entet e tjera, sipas përcaktimeve të Kodit Rrugor, kur gjykon se funksionimi i tyre mund të kryhet më mirë nga Autoriteti. Ky draft synon që Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të marrë pavarësinë në menaxhimin e fondeve. Pritet që gjatë mbledhjes së ditës së sotme në Komision e Veprimtarisë Prodhuese të jetë i pranishëm ministri i Transporteve, Olldashi, i cili do të raportojë për këtë projektligj.
29 Shtator 2009