Vasili: “Do të kontrollojmë sektorin farmaceutik në Shqipëri”
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar për Shëndetësinë dhe Arsimin, ka bërë të ditur se një nga detyrat parësore të Ministrisë që ai drejton është ngritja e një strukture që të kontrollojë sektorin farmaceutik. Sipas tij, shpeshherë është vënë re shitja e barnave të skaduara apo të vjetruara qytetarëve shqiptarë, ndaj dhe do të synohet frenimi i hyrjes së barnave të skaduara në vendin tonë. Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, për platformën e tij, Vasili ka bërë të ditur ngritjen së shpejti të një strukture të farmakovigjilencës, e cila do të monitorojë futjen e medikamenteve në vend. “Një objektiv që ne kemi vënë dhe do ta realizojmë pa diskutim, është një objektiv i domosdoshëm, i munguar prej kohësh, është ngritja e strukturave të farmakovigjilencës. Do të thotë, të monitorohet se çfarë ndodh në tregun farmaceutik realisht. Jo thjesht dhe vetëm që a është një kuti e paregjistruar në farmacitë tona, po dhe ato barna tashmë të regjistruara, a kanë të njëjtën cilësi edhe pas regjistrimit”, - është shprehur Vasili. Gjatë fjalës së tij Vasili u shpreh se pjesë e reformës në Shëndetësi është dhe sektori i shëndetit publik. “Pa një konceptim ndryshe të shëndetit publik nuk mund të ketë një shëndetësi të ekuilibruar. Tema të mëdha që shqetësojnë opinionin shqiptar do të jenë në fokusin e reformimit të vazhdueshëm edhe të këtij sektori të madh, siç është shëndeti publik”, - është shprehur ministri i Shëndetësisë, i cili vuri theksin në vazhdimin e luftës kundër korrupsionit në këtë sektor. Ai tha se ka paralajmëruar kontrolle intensive dhe të herëpashershme në spitale, në kuadër të luftës kundër korrupsionit. “Ministria e Shëndetësisë, e mbështetur nga Komisioni Parlamentar, nuk do të falë kurrë, asgjë që në pikëpamje të etikës mjekësore mërzit dhe zemëron qytetarët dhe pacientët”, - është shprehur ministri.
Topalli merr një mesazh urimi nga homologia e saj austriake
Kryetarja e Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer, në emër edhe të anëtarëve të Parlamentit austriak, i bëri kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, urimet më të ngrohta për rizgjedhjen e saj në krye të Kuvendit, duke e konsideruar këtë një sinjal të fortë për rritjen e bashkëpunimit. Në letrën e saj, kryetarja Prammer shkruan: “Jam e bindur se ne do t’ia arrijmë të thellojmë më tej marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy parlamenteve dhe dy vendeve tona, dhe unë e konsideroj rizgjedhjen Tuaj një sinjal të fortë për forcimin e mëtejshëm të rrjetit të suksesshëm të grave kryeparlamentare”.
29 Shtator 2009