Olli: “Deri tani janë pastruar nga predhat 400 hektarë”
Tiranë - Forcat e specializuara të ushtrisë kanë bërë të mundur krehjen dhe pastrimin e afro 400 hektarëve tokë nga municionet luftarake, kryesisht predha të shpërndara si rezultat i shpërthimit të fuqishëm, që ndodhi të shtunën në fabrikën ku çmontoheshin municionet luftarake në fshatin Gërdec të Bashkisë Vorë. Lajmi u bë i ditur dje nga drejtori i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, i cili po ndjek hap pas hapi operacionin për pastrimin e tokave dhe trojeve përreth fshatit Gërdec të Bashkisë së Vorës. Sipas Ollit, në operacionin e pastrimit të kësaj zone janë angazhuar forca të shumta ushtarake të specializuara për asgjësimin e municioneve luftarake. Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Alfred Olli, është pjesëtar i shtabit të emergjencës të ngritur pranë Bashkisë së Vorës për menaxhimin e situatës së krijuar pas shpërthimit të fuqishëm të së shtunës në fabrikën ku çmontoheshin municionet luftarake në Gërdec.
18 Mars 2008