E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i Bashkisë së Vorës: “Po përllogarisim dëmet”

Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, bëri të ditur dje se grupet e punës të ngritur pranë kësaj bashkie kanë intensifikuar kontaktet me familjarët e personave që rezultojnë të humbur pas shpërthimit të fuqishëm të së shtunës në fabrikën ku çmontoheshin municionet luftarake në fshatin Gërdec, të Bashkisë së Vorës. Grupet e punës, të cilat përbëhen nga përfaqësues të pushtetit vendor dhe strukturave qeveritare, janë në terren dhe po mbajnë kontakte të vazhdueshme me familjet e këtyre personave, të cilët nuk po i përgjigjen apelit, - tha Ismaili. Kreu i bashkisë bëri me dije gjithashtu se në fshatin Gërdec forcat e ushtrisë dhe trupat e xhenios vazhdojnë operacionin për krehjen dhe pastrimin e zonës nga predhat luftarake të shpërndara si rezultat i shpërthimit të fuqishëm. Nga ana tjetër, shtabi i emergjencës i ngritur pranë Bashkisë së Vorës, sipas Ismailit po i kushton vëmendje të veçantë edhe dhënies së ndihmave ushqimore dhe mjekësore familjeve në nevojë të kësaj zone. Nga shpërthimi i së shtunës i një sasie municioni luftarak në fabrikën ku bëhej çmontimi i armëve në fshatin Gërdec humbën jetën disa persona, të tjerë rezultojnë të humbur, ndërsa 296 persona mbetën të plagosur. Vala e shpërthimit shkaktoi edhe shumë dëme materiale në banesat dhe pronat e kësaj zone.

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›