E Diel, 1 Nëntor 2026

Olli Kreu i PS-se te heqe dore nga perfitimi i kapitalit politik me zjarret

Angazhimi maksimal i të gjitha shërbimeve të shtetit shqiptar ka bërë të mundur që të shpëtojë pasuria kombëtare, me dëmet më të vogla të mundshme, të shpëtohen pasuritë e çdo qytetari. Ky është konstatimi më i fundit nga Ministria e Brendshme lidhur me situatën e zjarreve në vend. Përmes zëdhënësit të saj Leonard Olli, Ministria e Brendshme bëri me dije se vijon puna për të mbajtur nën kontroll të plotë situatën problematike të shkaktuar nga zjarrvëniet. Por nga ana tjetër, në emër të këtij institucioni, i bëri sërish apel kreut të opozitës, që të heqë dorë nga përfitimi i kapitalit politik me vatrat e zjarrit, por të shprehë sadopak mirënjohje për të gjithë ata punonjës shteti ose jo, që prej javësh luftojnë për të shpëtuar pyjet, kullotat dhe pronën e çdo shqiptari.
“Prej më shumë se dy muajsh media elektronike dhe ajo e shkruar kanë pasqyruar dhe pasqyrojnë punën dhe përpjekjet e të gjitha strukturave për të mposhtur zjarret. Të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit janë njohur dhe vijojnë të njihen me operacionet që vijojnë çdo ditë në terren. Por, për fat të keq, me sa duket i vetmi që nuk ka asnjë kontakt me këtë realitet është lideri i opozitës. I kredhur totalisht në botën e tij virtuale, ai është i vetmi që nuk arrin të shikojë betejën që efektivat zjarrfikës, ata të shërbimit pyjor, të Forcave të Armatosura por edhe banorët japin çdo minutë dhe çdo orë me zjarret. Është i vetmi që nuk arrin të dallojë se nxirja në fytyrën e tyre nuk është nga dielli i pushimeve, por nga bloza e tymi i zjarreve që rrezikojnë pasuritë e vendit tonë dhe qytetarëve”, u shpreh Olli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›