Olli Rehn: Ballkani Perëndimor nuk do sakrifikohet nga kriza, gjatë 2009-s do i liberalizojmë vizat
Kryekomisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oli Rehn tha dje për mediat se zgjerimi i BE nuk duhet të flijohet nga kriza ekonomike dhe se fundi i 2009-ës do ishte momenti kur do të përfundonte liberalizimi i vizave me vendet e Ballkanin Perëndimor
TIRANE - Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oli Rehn ka deklaruar se procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të ndalet për asnjë arsye për shkak të krizës ekonomike globale. Zyrtari i lartë i KE-së ka shtuar se 2009-a duhet të jetë viti i liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit, natyrisht nëse ato plotësojnë kushtet.
“Çdo vend duhet të ketë një sistem të besueshëm të sigurisë, pasaporta biometrike, kontrolle në pikat kufitare dhe të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin”, ka theksuar Rehn.
Këto komente Oli Rehn i ka bërë gjatë një konference në Pragë kushtuar arritjeve të Komisionit Evropian në lidhje me zgjerimin, pikërisht 5 vjet pasi 10 vende të Evropës Qendrore e Lindore iu bashkuan bllokut Evropian në 2004.
Nga gjashtë qëllimet që BE-ja i vuri vetes në fushën e zgjerimit në vitin 2004, pesë janë plotësuar, përveç ribashkimit të Qipros. Një ndër to ishte zgjidhja e statusit të Kosovës, ka thënë Rehn. Por Oli Rehn në një interviste për britaniken “Daily Telegraph” ka kritikuar skepticizmin e vendeve si Britania, Gjermania apo Franca në lidhje me zgjerimin e BE.
“Shumë njerëz shprehen se për shkak të recensionit ne duhet të ndalim zgjerimin. Ky është një perceptim totalisht i gabuar. Zgjerimi ka treguar edhe më parë, se ka pasur efekte të mëdha pozitive në Evropë”, tha Rehn në një intervistë për gazetën britanike “Telegraph”.
Pas dorëzimit të aplikimeve nga Shqipëria dhe Mali i Zi, disa qeveri kanë shprehur frikën se një tjetër valë zgjerimi në BE do të nxiste tensionet sociale për vende pune, ndërsa Evropa është në krizë ekonomike.
“Nuk është faji i një punëtori serb apo një hidrauliku polak se ekonomia botërore tashmë është në recesion” është shprehur Oli Rehn.
“Unë jam kundër skeptikëve për zgjerimin”, ka deklaruar komisionari evropian i zgjerimit.
Madje ai vuri në dukje dhe faktet pozitive që ka sjellë zgjerimi i BE.
Sipas Oli Rehn që nga viti 2004 tregtia e BE-së është trefishuar, pas zgjerimit me 10 anëtarë të rinj. Zgjerimi ka pasur një impakt pozitiv për krijimin e vendeve të punës në Evropë, ka thënë Komisioneri i Zgjerimit duke u bërë thirrje vendeve anëtare të bllokut të mos pengojnë procesin për hyrjen e anëtarëve të rinj në BE.
Qëndrimet skeptike të këtyre vendeve ndaj Ballkanit është cilësuar si politik, për shkak se qeveritë përkatëse janë vënë në qendër të kritikave lidhur me krizën ekonomike. Nga ana tjetër, e përditshmja prestigjioze, “Financial Times” shkruan në një koment të sajin se zgjerimi i mëtejshëm i BE do t’i japë energji dhe dinamizëm kontinentit evropian. Sipas saj, zgjerimi i bllokut ka qenë gjithmonë një sukses.