Olli jep të dhënat më të fundit nga përmbytjet në Shkodër
Në një njoftim zyrtar, MB-ja bën me dije se situata ka nisur të përmirësohet ndërsa niveli i ujit ka rënë me rreth 20%. Kështu, në Qarkun e Shkodrës nga vlerësimi paraprak është përmbytur rreth 600 ha tokë ndërsa janë evakuar nga zona e përmbytjes 37 familje, nga të cilat 11 familje janë strehuar në ambientet e Turizmit në Shkodër.“Dje pasdite 130 persona të komunitetit rom janë akomoduar ne repartin ushtarak Melgushë, ku u është dhënë asistencë me ndihma në ushqime dhe ndihmë mjekësore. Sot për këto familje janë duke u dërguar nga Rezerva e Shtetit edhe 100 pako familjare me ushqime” bëri të ditur drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli. Ndërkohë, sipas Ollit, në komunën Ana e Malit është përmbytur rreth 850 ha tokë.“Janë me prezencë uji 130 shtëpi në fshatin Obot, nga të cilat 13 janë evakuuar më parë dhe 15 familje janë evakuuar sot. Sot janë dërguar rreth 150 pako familjare me ushqime dhe nga komuna po merren të gjitha masa për t’i shpërndarë në çdo shtëpi”, vijoi zyrtari i lartë i Ministrisës së Brendshme. E njëjta situatë paraqitet edhe në komunën Dajç, ku janë përmbytur rreth 1000 ha tokë bujqësore, ndërsa 70 banesa ndodhen nën ujë. Në këtë komunë janë evakuar 53 familje. Në Qarkun e Lezhës, duket se situata po shkon drejt përmirësimit. Në këtë zonë po vazhdon puna për ndërtimin e argjinaturës në lagjen Stome, fshati Ishull Shëngjin.“Po punojnë forca dhe mjete të ushtrisë, të Policisë së Shtetit, emergjencave civile, të bordeve të kullimit dhe të pushtetit vendor. Në terren po punojnë 11 makina vetëshkarkuese, tre ekskavatorë dhe tre fadroma.Në zonën e Tales nuk ka asnjë problem, uji është larguar dhe nga tokat bujqësore”, tha më tej Olli.