Rikthehen maskat, grabitet furgoni
Grabitja ndodhi rreth orës 08.00 të mëngjesit në vendin e quajtur Vig të Matit. Sipas dëshmitarëve, dy grabitësit me maska dhe automatik, kanë dalë para furgonit dhe nën kërcënimin e armëve kanë urdhëruar 20 pasagjerët të zbrisnin në tokë, duke i kërkuar të gjithë lekët që kishin me vete, si dhe aparatët celularë. Sipas dëshmisë së një gruaje, e cila ka qenë në furgonin me targa 2092 T, grabitësit u kishin marrë lekët vetëm burrave, ndërsa gratë i kishin urdhëruar më pas të hipnin në furgon. Ajo tregon se grabitësit nuk kishin ushtruar dhunë ndaj pasagjerëve. Aktualisht furgoni ndodhet në komisariatin e Burrelit, ku ekspertët hetimorë po kryejnë veprimet procedurale. Pak kohë më parë, në nëntor të 2009, po në Vig të Matit u krye grabitja e furgonit të kësaj linje. Policia nuk ka mundur ende të identifikojë autorët e grabitjes me maska.