Olta Gixhari merr rolin “e ndaluar” për Elia Zaharinë
Petrika GROSI
“Gjatë kohës së kinoprovave ftohen shumë artistë ndaj nuk është e thënë se roli ishte vendosur për një aktore... Kur kam bërë ‘I teti në bronz’ janë provuar rreth 10 aktorë për një rol. Ndërsa Xhanfize Keko, ka provuar mbi 1200 fëmijë, vetëm e vetëm për të gjetur Benin...” Kështu është shprehur producenti dhe regjisori Mevlan Shanaj për gazetën “Albania”, teksa tregon mbi rolin që më parë i ishte propozuar Elia Zaharisë, por që si përfundim ju dha Olta Gixharit. Xhirimet e filmit “Farmakon” tashmë kanë përfunduar me sukses në Durrës dhe në Tiranë. Stafi, siç pohon Shanaj, ka në përbërje të tij specialistë, teknikë, drejtorë fotografie e mjeshtra ndriçimi nga Izraeli dhe Koreja. Filmi që ka për regjisor të birin e Mevlan Shanajt, Jonin, trajton një temë të ditës, mjaft të prekshme, duke nisur që nga problemet me ilaçet dhe cilësitë e tyre, shëndetësinë, deri te marrëdhëniet brenda familjes. Në rastin konkret kemi babanë, djalin dhe një vajzë që dashuron me të dy... Ja si do të shprehej aktori Niko Kanxheri (babai) në lidhje me këtë: “Flitet për një mjek që punon në repartin e onkologjisë, atje ku bëhet përleshja më e ashpër me vdekjen, me kancerozët. Ai është ndarë nga gruaja dhe produkti i martesës është i biri që ka studiuar jashtë për farmakologji. I ati i hap një farmaci që djali të punojë dhe ndërtojë jetën e vet. Personazhi im është një njeri i suksesshëm në punë, një individ që ka nevojë për dashuri, por ndien në të njëjtën kohë edhe servilizmin e të tjerëve. Vjen një moment që ai lidhet me një vajzë të re studente, e cila më pas do të ketë një histori edhe me të birin...” Pikërisht roli i studentes së varfër që dashuron si me farmacistin dhe me të birin e tij, interpretohet nga Olta Gixhari, e cila duke pasur parasysh moshën e saj të re, ka ecur mjaft mirë në karrierën skenike dhe është një ndër aktoret e reja më të kërkuara dhe të promovuara fuqishëm gjatë kohëve të fundit. Është i njëjti rol që ju propozua më parë vajzës së Yllka Mujos, Elias, e cila nuk e pranoi, siç u fol, për shkak të etikës së Oborrit Mbretëror; duke qenë se Elia Zaharia dhe Princ Leka e kanë shpallur lidhjen e tyre, një princeshe të ardhshme nuk do t’i shkonte përshtat të luante skena me puthje, apo erotizëm dhe kjo ka qenë sipas mediave aryseja e refuzimit, ndërkohë që na mungon deklarata e Elias lidhur me këtë fakt, por mund të citojmë Princ Lekën, i cili ka thënë në një intervistë të mëparshme për gazetën se “nuk e pengoj Elian të bëjë asgjë që ka lidhje me profesionin e saj. Kam besim të plotë në karakterin e saj dhe në zgjedhjet që ajo bën.”
2 Korrik 2009