"Omonia", dështon ballafaqimi i rivalëve
Për herë të parë është tentuar të shkurtohen distancat e komunikimit mes dy rrymave të krijuara prej kohësh në organizatën e minoritetit etnik grek "Omonia". Bollano e Dule kanë qenë dje përballë me grupin Ksera e Barka dhe me mbështetësit e tyre. Mbledhja e radhës së këshillit të përgjithshëm të "Omonias" ka bërë që kampet kundërshtare të ulen në tryezë dhe të bisedojnë për zhvillimet e kohëve të fundit. Sipas kreut Bollano, "kjo ka qenë mbledhja që do të merrte në analizë problematikën e grumbulluar në aktivitetin e deritanishëm të "Omonias" dhe do të bëhej përpjekja e parë direkte për t‘u marrë vesh përmes dialogut me njëri-tjetrin". Paraditja e djeshme duhej të shënonte zhvillimin e mbledhjes së këshillit të përgjithshëm të "Omonias" në selinë e saj, në qytetin e Sarandës. Por kjo nuk ka ndodhur, pasi gjatë zhvillimit të mbledhjes që mbylli dyert për mediat, zotëroi acarimi në vend të dialogut. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, si edhe kandidati për deputet i kësaj partie, Llambi Panteqi. Mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura, por nga burime brenda saj është mësuar se ka pasur debate të nxehta dhe reagime të ashpra midis dy grupimeve. Acarimi i situatës ka ardhur pas kërkesës së Bollanos, që katër të përjashtuarit nga mbledhja e fundit e kësaj organizate Spiro Ksera, Kosta Barka, Thoma Miço dhe Kristaq Kali, të dalin jashtë nga mbledhja e këshillit të përgjithshëm, me argumentin se nuk janë më anëtarë të këtij forumi. Kjo kërkesë ka hasur në rezistencën e krahut të përjashtuar, të cilët janë mbrojtur me argumentin se Bollano ka humbur të drejtën për vendimmarrje dhe se e drejta për përjashtime i takon konferencës së përgjithshme dhe kongresit, i cili është kërkuar të mbahet së shpejti në një seancë të jashtëzakonshme për vendosjen e politikave dhe ekuilibrave. Pas pushimit të seancës së parë, Bollano dha një konferencë për shtyp, në të cilën akuzoi palën tjetër për prishje të normalitetit të mbledhjes. Bollano u shpreh se e vetmja gjë që u arrit, ishte të votohej për kongresin. "Me shumicë absolute u arrit të përcaktohej mbajtja e kongresit në muajt janar-shkurt", ka deklaruar Bollano. Më tej, ai ka deklaruar se mbeti pa u diskutuar platforma për të ardhmen, e cila parashikohej të bëhej në një seancë të dytë, që pritej të zhvillohej pak orë më pas, por rindezja e debatit ka bërë që Bollano ta konsiderojë mbledhjen të mbyllur, ndërsa krahu tjetër të pafilluar. "‘Omonia‘ nuk është pronë e asnjë njeriu, por pronë e komunitetit etnik grek që e ka lindur", u shpreh ish-ministri Barka. Ndërkohë, Thoma Miço ka deklaruar se do të vazhdojnë të këmbëngulin në kërkesën për të mos u lënë të privatizohet "Omonia" nga Bollanot, që nuk i beson më njeri dhe nuk i voton më njeri. "Ne i kemi thënë Bollanos që të japë dorëheqjen, sepse ai nuk e drejton më këshillin e përgjithshëm të ‘Omonias‘. Ai merr vendime personale dhe largon anëtarë me dëshirën e tij, ndaj e vetmja zgjidhje e drejtë e tij është të japë dorëheqjen", u shpreh Miço.