E Shtunë, 31 Tetor 2026

Venecia "rrëzon" ligjin e dosjeve

Ligji i "dosjeve" është antikushtetues. Ky është konkluzioni i dalë nga shqyrtimi që Komisioni i Venecias i ka bërë një prej ligjeve më të debatueshme të kohëve të fundit në Shqipëri. Opinioni për këtë çështje erdhi pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese, e cila pezulloi zbatimin për këtë ligj në muajin shkurt, duke kërkuar shqyrtimin e tij nga Komisioni i Venecias, i cili konsideron se ligji "Për pastërtinë e figurës së zyrtarit" është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën. Siç raporton agjencia italiane e lajmeve "Ansa", Komisioni i Venecias ka deklaruar se antikushtetutshmëria e tekstit qëndron në faktin se bëhet fjalë për një ligj të zakonshëm, që edhe pse për shkak të natyrës së tij nuk mund të ndryshojë atë çka parashikohet nga Kushtetuta, modifikon garancitë kushtetuese të caktuara për postet më të larta të shtetit. Aktualisht, në Shqipëri Kushtetuta përcakton specifikisht procedurat kur i ndërpritet mandati Presidentit të Republikës, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe parlamentarëve. Vlerësohet se ligji i lustracionit do t‘u jepte fund këtyre garancive të mandatit të zyrtarëve. Komisioni i Venecias u vu "në punë" pas një kërkese që iu bë nga Gjykata Kushtetuese për të dhënë një opinion mbi kushtetutshmërinë. Gjykata Kushtetuese në Shqipëria ka nisur shqyrtimin e kërkesave për pezullimin e ligjit, bërë nga Partia Socialiste, e cila pretendon se 28 nene të këtij ligji janë antikushtetuese. Pranë Gjykatës Kushtetuese u bënë tri ankimime kundër ligjit të lustracionit, një nga Partia Socialiste, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Shoqata e Prokurorëve. Ligji i dosjeve, i miratuar dhjetorin e kaluar vetëm me votat e mazhorancës, u kthye në temën më të nxehtë të politikës. Opozita e konsideroi një ligj të egër dhe joeuropian, duke akuzuar qeverinë se me ligjin e dosjeve synon të godasë prokurorinë dhe gjykatat. Këshilli i Europës kishte kërkuar nga qeveria shqiptare të mos e nisë zbatimin e ligjit të dosjeve pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese. Në kuadër të monitorimit në lidhje me këtë ligj, dy raportuesit e këtij këshilli, David Uilshire dhe Jako Lakso, zhvilluan edhe një vizitë të posaçme në Tiranë. Ata e nxitën Gjykatën Kushtetuese dhe qeverinë ta paraqisnin ligjin e dosjeve në Komisionin e Venecias për të qenë të sigurt për përputhjen e tij të plotë me detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i Këshillit të Europës. "Faktori kohë krijon terren për t‘u shqetësuar se ligji do të shkaktojë më shumë padrejtësi se sa do të korrigjojë padrejtësitë e bëra në kohën e komunizmit. Mbështetësit e këtij ligji nuk patën kohë të mjaftueshme për të shpjeguar përse një ligj i tillë është i nevojshëm pas gati dy dekadash nga rënia e regjimit komunist", theksonte në dhjetorin e vitit 2008, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës, Teri Deivis. Shqipëria është e fundit ndër vendet ish-komuniste të Europës Lindore dhe Qendrore, që miratuan ligjet përkatëse për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të policive sekrete të diktaturës. Hartimi i këtij ligji në Shqipëri u mbështet në modelin çek.

D.Malaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›