E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy deputetët çamë mbledhin mbështetësit e PDU-së lokale

Ish-deputeti i PS-së, Shpëtim Idrizi, dhe i vetmi deputet i këtij legjislacioni që fitoi nga forca politike që përfaqësonte komunitetin çam të PDI-së, Dashamir Tahiri, kanë zhvilluar pasditen e së shtunës një takim me përfaqësuesit çamë të Fierit. Në takim kanë marrë pjesë me dhjetëra përfaqësues të PDI-së lokale, të cilët kanë treguar shkëputjen e tyre nga kjo forcë politike dhe mbështetjen që i bëjnë ata forcës më të re politike, Partisë për Drejtësi dhe Unitet. Drejtuesit më të lartë të PDI-së së Fierit dhe Patosit, të pranishëm në këtë takim janë shprehur pro përfshirjes së tyre në partinë tjetër të çamëve. Mes të pranishmëve ishte edhe kandidati për deputet nga PDI-ja në zgjedhjet e fundit parlamentare, Nimet Musai, për të cilin Shpëtim Idrizi tha se "PS-ja i mori mandatin në Fier përfaqësuesit të çamëve. Si kompensim për këtë mandat që mori PS-ja në Fier, unë u shkëputa prej saj. Tashmë zëri i kandidatit Nimet Musai është në Parlament nga unë dhe Dashamir Tahiri i Vlorës, që theu tabunë mbi çamët". Më tej, Idrizi ka zbardhur detaje të tjera rreth shkëputjes së tij nga PS-ja, si dhe bashkëpunimet e ardhshme me qeverinë. "Po negociohet për marrjen e një posti në departamentin e marrëdhënieve me jashtë, si dhe përfshirjen e përhershme të një deputeti çam në komisionin që shkon në KE dhe BE, me qëllim që çështja çame të dëgjohet në këto institucione", ka thënë më tej ai. Në takim Idrizi ka zbërthyer edhe një pjesë të platformës së partisë që drejton, duke thënë se "disa nga parimet kryesore të partisë janë: çështja çame që do të gjejë zgjidhje; emigrimi, pasi një pjesë e madhe e çamëve janë sot emigrantë; zgjidhja e çështjes së pronave, si edhe ngritja e një komuniteti kombëtar të diasporës. Po ashtu, një nga pikat e rëndësishme të programit tonë të partisë që i është bërë prezent edhe qeverisë, është ajo e unifikimit kulturor të të gjithë kombit shqiptar". Për strukturën e PDU-së, Shpëtim Idrizi ka thënë se do të ketë 3 nënkryetarë, të cilët do të zhvillojnë pafundësisht takime me bazën, do të ketë 17 anëtarë kryesie, si dhe 6 departamente. Për sa i përket pozicionimit të kahut politik, Shpëtim Idrizi nuk ka folur për një afat të gjatë, pasi ai ka thënë se: "as PS-ja dhe as PD-ja nuk janë treguar të gatshme për të zgjidhur çështjen çame". Lidhur me zgjidhjen përfundimtare të çështjes çame, Idrizi ka thënë se PDU-ja është duke bashkëpunuar me një studio avokatie londineze, e cila do të tregojë edhe rrugën për ta zgjidhur nga pikëpamja juridike këtë çështje të rëndësishme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›