Omonia, gati Komisionin e Regjistrimit për minoritetet

Vasil Bollano
Omonia ka ngritur komisionin për vetë-regjistrimin e popullsisë minoritare greke, që jeton në Shqipëri gjatë periudhës qershor-tetor 2012.
Burime nga Saranda bëjnë të ditur se është mbledhur Komisioni i Regjistrimit, i kryesuar nga kryetari i kësaj organizate, Vasil Bollano. Në një komunikate për shtyp njoftohet se në mbledhje ishte vendosur hartimi i planit te veprimeve parapërgatitore të procesit të shpallur nga Omonia, regjistrimin e pjesëtarëve të komunitetit etnik grek.
Procesi i Censusit, sipas krerëve të Omonias, nuk i ofroi komunitetit mundësinë për të rilevuar dinamikën e tij. Regjistrimi, sipas tyre, do realizohet me metoda bashkëkohore statistikore gjatë grumbullimit të të dhënave ne terren dhe përpunimit të tyre.
Zyra e shtypit e Omonia-s bënte të ditur se komisioni i regjistrimit ka autorizuar kryetarin Bollano të ndërmarrë veprimet dhe konsulencën e nevojshme.