E Diel, 1 Nëntor 2026

Omonia hap fushatën për regjistrimin e anëtarësisë

Organizata nis reformimin me ndryshimin e statutit

Liberalizohet dukshëm anëtarësimi në organizatën “Omonia”, ndërkohë që edhe ata që do të zgjidhen në krye të saj do të kenë mandat të gjerë popullor. Këto janë dy ndryshimet demokratizuese të realizuara përmes konferencës së “Omonia”-s, të mbajtur dje në Sarandë, e cila është quajtur statutore dhe programore.

Pas sulmeve të përsëritura, të ardhura nga krahu reformator i minoritarëve, që së fundi kanë krijuar forcën e tyre politike “Mega”, organizata “Omonia” ka dhënë fuqishëm dje sinjalin e reformimit të vetvetes, duke iu përshtatur ndryshimeve të ndodhura brenda dhe jashtë minoritetit etnik grek. Ndryshimi ka qenë institucional dhe programor, pasi përmes konferencës statutore të mbajtur dje në Sarandë janë zyrtarizuar ndryshime të rëndësishme në statutin e funksionimit të organizatës. Pjesëmarrës në konferencë kanë qenë të zgjedhur të saj nga degët në rrethe, përfaqësues të të gjitha organizatave që funksionojnë në Athinë, si dhe Kryesia e PBDNJ-së. Por kjo konferencë ka qenë ndryshe, duke e vlerësuar atë në elementin e drejtimit të saj. Nuk është drejtuar nga kryetari i organizatës Vasil Bollano, i cili së bashku me Vangjel Dulen dhe të ftuar nga partitë e mëdha greke e nga Parlamenti grek, kanë zënë vend në sallë. Drejtimi i saj është bërë nga Komisioni i Hartimit të Statutit të Ri, nga kryetari i tij, Jani Jani, ish-kryetar i “Omonia”-s para se këtë detyrë ta merrte Bollano. Ndërkohë që nuk kanë marrë pjesë, si zakonisht funksionarë të rëndësishëm nga konsullata greke në Gjirokastër, nuk kanë munguar deputetë grekë, me pozicione të rëndësishme në dy partitë e mëdha të Greqisë, PASOK dhe Nea Dhimokratia. PASOK-u është përfaqësuar nga deputetja Maria Dhimitrakopulu, ndërsa opozita greke është përfaqësuar nga deputeti i Follorinës, Evstathios Konstandinidhi. I pranishëm ishte edhe prefekti i Thesprotisë, Vasilis Jojakas.

Deputetja greke, zonja Dhimitrakopulu, ka kërkuar që “Omonia” të mbetet organizata ku çdokush të shprehë opinionet e tij. Ajo ka siguruar se do bëhet maksimumi për të ruajtur të paprekur politikën e pensioneve greke. Ndërsa deputeti i Nea Dhimokratia, Konstandinidhis tha se mesazhi më i parë që duhet të marrë qeveria shqiptare është të plotësojë të gjitha detyrimet ndaj minoritetit, nëse do që të përparojë drejt Europës. “Nuk na erdhi mirë që marrëveshja për kufijtë detarë u rrëzua nga Gjykata Kushtuese”, tha deputeti Konstandinidhis. Duke folur për problemin e varrezave të ushtarëve grekë të vrarë më 1940-1941, vendimet e qeverisë shqiptare për këto varreza ai i ka cilësuar si një mesazh shpresëdhënës, me gjithë kundërshtimin e bërë nga opozita shqiptare. Ai ka përsëritur mesazhin e bashkimit në “Omonia”, duke mos anashkaluar përçarjen e ndodhur kohët e fundit. “është koha që helenizmi të pushojë së ngrëni ‘fëmijët’ e vet”, ka thënë ai. Kryetari i “Omonia”-s, Vasil Bollano, pranoi se ka pasur edhe dobësi dhe gabime në veprimtarinë e “Omonia”-s. “Ata që nuk bëjnë asgjë, nuk gabojnë”, u shpreh Bollano. Duke u ndalur në votimet e 28 qershorit, Bollano tha se ata që ngrenë më shumë zërin për të kërkuar përgjegjës dhe përgjegjësi, janë vetë përgjegjës për rezultatet e padëshiruara të PBDNJ, duke aluduar për ata që aderuan në PD. Ndërsa deputeti Vangjel Dule, në fjalën e tij, është ndalur posaçërisht në mënyrën e funksionimit të “Omonia”-s, duke kërkuar që ajo të mos funksionojë formalisht, por si një organizëm i gjallë. Dule është ndalur edhe në mosfunksionimin e aleancës me PS në zgjedhjet e 28 qershorit, e cila është parë në vështrim kritik. Por ai nuk ka qenë më pak kritik djathtas. Në fund të konferencës janë votuar ndryshimet e bëra në statut.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›