E Diel, 1 Nëntor 2026

Omuri: 180 mijë invalidë do t'i sabotojnë zgjedhjet

TIRANE- Asnjë nga partitë politike nuk ka përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë një përfaqësues nga invalidët e punës, ndërkohë që askush në programet sociale nuk ka një pikësynim kryesor apo të dhëna të sakta për atë çka do të bëhet me invalidët e punës që janë 60 mijë veta dhe kanë 3 veta që votojnë në familje. Natyrisht askush nuk mendon për 180 mijë vota". 

Kjo ka qenë deklarata e bërë nga kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri. Në këtë intervistë, dhënë për "Gazeta Shqiptare", Omuri shprehet se nëse kjo situatë nuk ndryshon kjo kategori do të sabotojë zgjedhjet e 23 qershorit. 

Z.Omuri, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Shoqatës së Invalidëve të Punës së Shqipërisë ju ngritët dy probleme: Gjendjen ekonomike të kësaj shtrese dhe programet e partive politike në lidhje me të. Më konkretisht, cilat janë problemet kryesore që shqetësojnë grupin që ju përfaqësoni? 
Së pari ne kemi diskutuar në lidhje me gjendjen ekonomiko-sociale. Me gjithë rritjen 4% të pensioneve, që nuk i përgjigjet ligjit, "Për sigurimet shoqërore", sepse rritja e pensioneve duhet të bëhet paralele me rritjen e çmimeve, gjendja ekonomike e invalidëve të punës është shumë e rëndë. Të ardhurat e tyre janë nën minimumin jetik, me më pak se 2 $ në ditë për frymë. Kështu që detyrimisht ne morëm në analizë këtë fenomen. Morëm në analizë dhe problemin që forcat politike kërkojnë mbështetjen tonë. Ndërkohë që askush në programet sociale nuk ka një pikësynim kryesor apo të dhëna të sakta për atë çka do të bëhet me invalidët e punës që janë 60 mijë veta dhe kanë 3 veta që votojnë në familje. Natyrisht askush nuk mendon për 180 mijë vota. 

A ka ndonjë forcë politike që ka në listat e veta kandidatë që përfaqësojnë invalidët? 
Natyrisht që asnjë nga forcat politike, që sot ka futur çdo mik, nuk ka futur një invalid pune që ta ketë minimalisht si kandidaturë. 

Përveç mungesës së një kandidati nga kategoria e invalidëve të punës, çfarë vihet re në programet politike të forcave politike? A jeni përfshirë ju si shtresë në këto programe? 
Në datën 24-26 qershor në Athinë është mbajtur asambleja, ku janë gjithë deputetët e Parlamentit Evropian dhe pyetja e parë që mua mu bë nga një deputet gjerman ishte: z.Omuri, partitë politike kanë përfshirë në axhendën e tyre çështjet sociale për shtresat e margjinalizuara dhe sidomos invalidët e punës? Duke qenë se ne në një farë mënyre duhet të jemi disi diplomatë i thashë, që deri diku nuk është përfshirë ashtu si duhet, ndërsa pyetja vazhdoi më tej: ka në gjirin e partive përfaqësues nga shtresa tuaj dhe unë i thashë për fat të keq "jo" sepse nuk kisha si t'i thoja "po". 

Ju sa keni kërkuar që të jetë rritja e pensioneve? 
Ne kemi kërkuar që rritja e pensioneve të jetë 13 ose 14% që kjo rritje t'i përgjigjet ngritjes së pagave dhe çmimeve. Pra, në bazë të ligjit 7703, rritja e pensioneve bëhet në proporcion me ngritjen e çmimeve. Normalisht kjo nuk është pranuar nga ata. Dhe po të marrësh vetëm një fakt për administratën shtetërore që e kanë të vetën, një person që e ka pagën 40 mijë lekë t'i rritet 5 %, minimalisht i rritet 2000 lekë. Kurse një invalidi pune i rritet vetëm 280 lekë. Mos harrojmë që mospërfillja është shumë diskriminuese. 

A kanë ardhur përfaqësues të ndryshëm të partive politike për të kërkuar mbështetjen tuaj? 
Që të jem i sinqertë, mua më kanë ardhur kandidatë të djathtë dhe pyetja e parë që unë iu kam bërë është: Ju lutem, që unë t'u them kolegëve të mi të votojnë për ju, çfarë do të bëni? Le që nuk kam çfarë tu them sepse ju ngritët pensionin vetëm 4%, ju merreni vetëm me biznesin, ju me Vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2012 hoqët ndihmën ekonomike për invalidët e punës etj, etj. Atëherë çfarë kërkoni? Ose më thoni të paktën a keni një kandidat që të jetë invalid pune ashtu siç e kanë vendet përreth nesh që kanë një bashkëpunim me ta. Për të qenë i sinqertë, deri diku ka patur interesim nga grupi i majtë. Grupi i majtë ka ardhur, na kanë takuar, ka marrë një model, ka marrë shqetësimet dhe e ka shprehur që ne do bëjmë diçka për aftësinë e kufizuar, por se sa nuk e dimë. Kryetari i opozitës për policët thotë: E kanë kaq dhe do ua bëjmë kaq. Kurse te ne nuk e ka bërë këtë. 
A ka një forcë politike, të cilën ju si kategori do e mbështesni? 
Ka mundësi që deri në datën 16 qershor, nëse s'do ketë ndryshime ne do të sabotojmë zgjedhjet sepse të lesh 180 mijë veta pa përfaqësi, gjendja e të cilëve dihet se si është, kjo është e papranueshme.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›