Rekuiem për Qendrën Kombëtare të Fëmijëve
Këto net ndoqa rastësisht festivalin e këngës për fëmijë. Ishte një festival jubilar, i 50-ti, dhe, siç ndodh rëndom në këso rastesh, kish shumë gëzim (të rremë) dhe pak realizëm, kish shumë fanfarë, ndonëse asnjë lloj orkestre (për mungesë fondesh, me sa duket), kish edhe një enumeracion pamjesh filmike për disa nga personalitetet që tashmë kanë prekur skenat e botës. Megjithatë, nuk pati as edhe një fjalë të vetme për Qendrën e Kulturës ku ata u përgatitën dikur. Përse? Do të mundohem ta shpjegoj. Shumë mbase mendojnë se Qendra Kombëtare e Fëmijëve ndodhet në mjediset e ish-Pallatit të Pionierëve në kryeqytet, por nuk është ashtu. Ndërkaq, është vështirë të thuhet se ku ndodhet ajo saktësisht. Duke u nisur nga qendra e Tiranës, duhet të mbërrish në sheshin “Qemal Ataturk”; nëse ky emërtim nuk ju thotë gjë, ju kujtoj emërtimin e vjetër “Sheshi i 21 Dhjetorit”, që, si për ironi, të kujton përherë datëlindjen e Stalinit, që vazhdon të na ndjekë si një makth. Djathtas duhet të kalosh kolegjin “Turgut Ozal”. Parelinjtë e dinë mirë se ku ndodhet kjo shkollë private, porse skamnorëve që, natyrisht, as që e kanë idenë, u kujtoj toponimin e vjetër “Fusha e Zezë”, mbuluar prej një shtrese qymyr koksi, ku pasi luaje futboll dikur, shndërroheshe në një njeri me ngjyrë. Bash aty janë ndërtuar një mori pallatesh amorfë dhjetëkatësh. Me siguri që do të kërkosh në njërin prej tyre. Mos u lodh, për faktin e thjeshtë se Qendra Kombëtare e Fëmijëve ndodhet nën tokë, në një nga vendstrehimet e dikurshme, të ndërtuara për raste lufte. Por dhe për të arritur aty, do të duhet të kërkosh përmes grumbullit të makinave, që i zënë frymën kësaj grope, në të cilën do të duhet të zbresësh si në Hades. Në këtë vend, ku dielli nuk hyn kurrë, fëmijët e kryeqytetit studiojnë art!
Ajo që të godet menjëherë sapo futesh në këtë guvë nëntokësore, është mungesa e ajrit, veçanërisht në dimër, kur nuk ka rrymë elektrike dhe aspiratorët nuk punojnë. Ironikisht, vetëm një WC është ndërtuar në mënyrë moderne, kurse mjediset e tjera, si bie fjala, salla e pikturës, e bibliotekës, e baletit dhe e muzikës, nga duhma e rëndë dhe njollat e lagështirës që të shoqërojnë ngado, janë të denja për ato nevojtoret e dikurshme publike, ku mund të asfiksoheshe. Jam më se i bindur që, nëse Drejtoria e Higjienës do t’i kontrollonte, do t’i mbyllte si të dëmshme për shëndetin e fëmijëve. Po aty punon një kolektiv i vogël, por i përkushtuar, piktorë, kompozitorë, mjeshtër baleti, që japin mësim, të cilët janë të detyruar të rrinë tetë orë rresht nëntokë. Më shumë se jetën e një artisti, jeta e tyre të kujton jetën e një minatori.
Në krye të shkallëve të bie në sy një kopje e zbehtë, e ciflosur e një skulpture socrealiste prej allçie qysh prej kohërash që nuk mbahen mend. Dhe vetëm beton! Ku janë hapësirat e gjelbërta, ku janë argëtimet dhe veprat e artit? Ato iu falën familjes së një mbreti të vetëshpallur, të cilit shqiptarët, veçmas më 7 prill, i vendosin tek këmbët e monumentit tufa prasësh.
Unë nuk mund ta shpjegoj, apo më saktë, ta faktoj alkiminë e këtij shndërrimi, por mund të them se kjo histori fillon në kohën e qeverisjes “Berisha”. Më pas kjo odise vazhdoi me qeverinë “Nano”, kur ministër i Kulturës ishte z. Rama. Pjesëmarrësit në atë mbledhje, edhe sot i mbajnë mend premtimet për ta kthyer Pallatin e Pionierëve në një “Luna Park”, por, në të vërtetë, pas premtimeve, u shfaqën një lukuni sekserësh, që e tjetërsuan pronën, duke e blerë e riblerë për t’ia shitur më pas një kompanie ndërtimi. Kësisoj lindi njëra prej kinemave, “Milenium”. Në të njëjtën kohë u asfiksua, në kuptimin e vërtetë të fjalës, Qendra Kombëtare e Kulturës për fëmijë. Në vend të saj u ndërtua ndonjë qendër multifunksionale, më saktë do të ishte të quhej hermafrodite, ku vetëm fëmijë nuk shikon. Nëse nuk do të kishim një aktivizim të sektorit privat në këtë fushë, (i cili, meqenëse ra fjala, i vendos çmimet sipas qejfit), do të kishim të bënim me një katastrofë të vërtetë kombëtare.
Ajo që të vret në të gjithë këtë histori, është se të gjithë heshtën, madje dhe ata që u kujtuan me nderim në festivalin e 50-të të këngës, i cili u bë shkak për këtë shkrim. Asnjë nuk e ngriti zërin. Askush nuk vazhdon ta ngrejë edhe sot. Artistët, që arritën deri në skenat botërore, para se të ngjiten në skenat partiake, le të protestojnë njëherë për kushtet, ku studiojnë këta fëmijë, që kanë lënë pas vetes, të cilët janë po aq të talentuar sa dhe ata dikur. Le të mos harrojnë se, sido që ishin kushtet në Shqipërinë e djeshme, ata nuk studiuan nëpër bodrume, por, siç ndodh vetëm në përralla, në një pallat mbretëror, ku mësim u dhanë jo njerëz dosido, por princa të vërtetë të artit, pavarësisht se shumë syresh nuk patën fat. Jeta shpesh tregohet tragjikisht e padrejtë.
Vetjakisht, nuk hyj tek ai grupim që mendon se me ikjen e Berishës nga pushteti, në këtë vend do të mbretërojë lumturia. E vërteta është se do të largohen një dorë të korruptuarish, por nuk do të largohet korrupsioni, sepse unë nuk e shoh korrupsionin si një virus që ka prekur institucionet. Do të ishte kollaj që, pas zgjedhjeve, me disa punonjës bashkiakë, të pajisur me pompa, t’i dezinfektonim dhe kështu do të shpëtonim një herë e mirë. Jo! Unë e shoh korrupsionin si një virus që ka prekur thellë ndërgjegjen qytetare dhe për ta ribërë këtë, nuk e teproj nëse them se do të na duhen qindra vjet! E, pra, edukimi për ta rindërtuar këtë ndërgjegje qytetare fillon nga këto qendra fëmijësh, të cilat bota i ka të shenjta dhe të panumërta.
Kam vënë re se kur udhëheqësit politikë kthehen nga jashtë, në vend që të vinë më kokulur, siç ndodh me të gjithë ne, kthehen më kokorroçë, duke të kujtuar provincialët, që pasi kthehen nga metropolet, në vend që t’i përvishen punës për të ndërtuar modelet që kanë parë, e kalojnë jetën duke tjerrur emra personalitetesh, me të cilët vetëm sa kanë shtrënguar duart. Mbi të gjitha, që të luftosh korrupsionin, unë mendoj se, më e pakta që mund të bësh, duhet të kesh në krah njerëz të cilët të jenë dhe vetë të pakorruptuar!
Dëgjoj përgjatë fushatës premtime; dhe asnjë fjalë për artin, as për ata që e lindin apo që e studiojnë atë; dhe asnjë fjalë për ata burra dhe gra, që bënë detyrën e tyre dikur, ndershmërisht, pavarësisht rrethanave të kohës, duke përgatitur breza të pafundmë artistësh. Le të kujtojmë me këtë rast se ky vend i mjerë, që quhet Shqipëri e që dallohet për skarcitet idesh politike, është ndërkohë një prodhues arti cilësor, mbase i të vetmit “prodhim” europian. Bash ky art sot nënvleftësohet në mënyrë poshtëruese.
Prandaj, kush mund t’i sigurojë këta fëmijë, apo dhe prindërit e tyre, që nesër nuk do të zhduket edhe ky bunker i fundit, ku, paradoksalisht, arti strehohet në kohë paqeje? Nëse ndodh kjo, atëherë mund të thuhet se fantazmat e së shkuarës dhe jo ato të së ardhmes jetojnë në guvat e nënndërgjegjes politike, sa majtas, po aq edhe djathtas.
* Autori është pedagog në
fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Tiranë