Bujqësia, investimet ecin sipas parashikimeve
Realizimi i investimeve në sektorin e bujqësisë, blegtorisë dhe agroindustrisë për vitin 2009 po ndjekin ritmet e parashikuara nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Rreth 23 milionë USD është fondi i parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2009 për investimet në sektorin e bujqësisë. Ndërkohë që në programin e investimeve, prioritet i është kushtuar kryesisht programeve "Infrastruktura e Kullimit dhe Ujitjes" me 37,0% të investimeve dhe "Zhvillimi Rural" me 24,7%. Në programin "Infrastruktura e Kullimit dhe Ujitjes", bën të ditur MBUMK-ja, investimet janë parashikuar në masën 900 milionë lekë, ku financimet e huaja zënë peshën më të madhe me projektin "Menaxhimi i Burimeve Ujore". Për projektet me financim të brendshëm, rëndësi i është kushtuar objekteve "Mbrojtje nga përmbytjet" - 23%, "Hidrovore" dhe "Studim-Projektime". Programi "Zhvillimi Rural", ka në total investime prej 308 milionë lekë. Brenda këtij programi, nga financimi i brendshëm i është dhënë prioritet projekteve për "Ndërtim tregu bujqësor shumicë" në Lezhë, Dibër dhe Has, ndërkohë që me financimin e huaj spikat granti "Për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Zonave Malore". Në këtë program është përfshirë edhe një vlerë prej 100 milionë lekë, e cila do të shpërndahet si grant konkurrues për pushtetin vendor për ndërtimin e tregjeve rajonale.