E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehu: Buxheti 2010 rritet me 12 për qind



Grupet e punës në Ministrinë e Financave kanë nisur punën për hartimin e projektbuxhetit të vitit 2010. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka deklaruar dje se tashmë janë vendosur piketat për të hartuar buxhetin e vitit që vjen. Ndërkaq, ai tregon se janë përcaktuar edhe prioritetet që do të ndiqen nëpërmjet realizmit të buxhetit të vitit 2010, që sipas tij, do të jetë infrastruktura, punësimi, arsimi dhe tashmë në këto prioritete është futur dhe bujqësia. Ministria e Financave parashikon që buxheti i vitit 2010 do të jetë 12 për qind më i lartë se ai i vitit në vazhdim

Më shumë investime në infrastrukturë, në sektorët që do të nxisin punësimin, në arsim, por duke mos lënë mënjanë edhe sektorin e bujqësisë. Këto do të jenë prioritetet që do të parashikohen në shpenzimet e buxhetit të vitit 2010. Tashmë grupet e punës në Ministrinë e Financave kanë nisur punën për hartimin e draftit të buxhetit të vitit që vjen dhe duket se që herët janë përcaktuar dhe prioritetet. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka deklaruar dje për gazetën “standard” se puna për hartimin e projektligjit të buxhetit të shtetit ka nisur që në fillim të muajit maj dhe madje janë përcaktuar dhe prioritetet, që në ndryshim nga viti i kaluar, kanë përfshirë dhe bujqësinë. “Buxheti i vitit 2010 do të ketë po ato prioritete si ai i vitit 2009, ku përfshihen infrastruktura, punësimi, arsimi, shëndetësia, por këtë vit shihet edhe bujqësia, për të cilën do të ketë më shumë investime. Njëkohësisht në këto prioritete do të futet edhe uji i pijshëm, do të jepen më shumë investime për ujësjellësit dhe infrastrukturën e ujit”, - ka theksuar dje zëvendësministri Sherefedin Shehu. Lidhur me shifrën e parashikuar të buxhetit, Shehu sqaroi se ajo do të jetë më e lartë se vitin e kaluar. “Buxheti 2010 do të jetë 12 për qind më i lartë se ai vitit 2009”, - theksoi Shehu. Rritja e shifrës së buxhetit 2010 do të thotë se krijohen më shumë mundësi për të rritur edhe investimet. Nëse i referohemi buxhetit të vitit në vazhdim, i cili është rreth 5 miliardë dollarë, përafërsisht buxheti i vitit 2010 me 12 për qind më tepër i bie të rritet me rreth 600 milionë dollarë.

Shifrat e buxhetit 2009, kur u miratuan u vlerësuan nga Kryeministri Berisha, si shifra rekord, duke pasur parasysh të gjitha buxhetet që ka bërë shteti shqiptar që nga krijimi. Viti 2009 do të ketë 100 miliardë lekë. Grantet konkurruese në vitin 2009 llogariten 8.7 miliardë lekë, 4 miliardë për rrugët dhe pjesa tjetër për ujësjellës, shkolla e shërbime të tjera lokale. Ky buxhet bën të mundur rritjen me 37 për qind të financimit të qeverive vendore nga qeveria qendrore. Në vitin 2009, ritmi i rritjes së të ardhurave llogaritet 10-11%. Buxheti i vitit 2009 realizoi të gjitha premtimet për rritjen e pagave dhe pensioneve. Me shtesën që iu bë 44 mijë arsimtarëve shqiptarë, ata tani marrin dyfishin e rrogave.

Po kështu, 14 mijë infermierëve shqiptarë u janë dyfishuar pagat. U bë rritje e ndjeshme e pensionit me 10 për qind, ndërsa pensionistët në fshat kanë pasur rritje me 20 për qind. Këtë vit administrata shtetërore u peshon taksapaguesve shqiptarë gjithsej 6.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm të vendit. Buxheti për vitin 2009 përbëhet nga buxheti i shtetit, buxheti vendor dhe fondet speciale: sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore. Të ardhurat në buxhet parashikohen në 332.586 milionë lekë, shpenzimet parashikohen 382.596 milionë lekë, ndërsa deficiti parashikohet 50.010 milionë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›