E Diel, 1 Nëntor 2026

One-stop-Shop për Investitorët e rinj

So fillim në Kryeqytet dhe më pas në të gjitha qytetet e mëdha të vendit të gjithë investitorët vendas dhe të huaj do të përfundojnë proçesin e regjistrimit të aktivitetit të tyre në një sportel të vetëm brenda ditës.Qeveria shqiptare do të përdorë një pjesë të parave të marra nga Llogaria e Mijëvjeçarit për financimin e projektit "One-stop-shop" të biznesit.Sipas Këshilltarit të Kryeministrit për çështjet ekonomike, Selami Xhepa, reforma e vërtetë është krijimi i "One-stop-shop".Xhepa u shpreh për mediat se proçedurat e regjistrimit të një shoqërie tregtare nuk do të bëhen më në gjykatë, ku bizneset harxhojnë shumë kohë dhe para, por në një zyrë të vetme, e cila do të merret posaçërisht me këtë punë.
Xhepa u theksoi se ky proçes po ecën paralelisht edhe me informatizimin e Regjistrit Tregtar, proçes që pritet të përfundojë brenda muajit Maj."Si hap i parë do të jetë krijimi i një zyre për qytetin e Tiranës dhe pastaj në rrethe, duke ofruar një regjistrim të biznesit në kohë rekord dhe duke ulur koston ndjeshëm"- u shpreh Xhepa. Xhepa tha se "One-stop-shop", pritet të ofrojë edhe shërbime të tjera për biznesin që kanë të bëjnë me proçedurat tatimore etj.Gjithçka bazohet në planin afatshkurtër për përmirësimin e klimës së biznesit, të miratuar së fundi nga qeveria. Ngritja e një "One-stop-shop", i hap rrugën ngritjes krijmit të Qëndrës Kombëtare të Biznesit.Kjo qëndër do të shërbejë si "one-sto-shop"-i për regjistrimin e biznesit, duke ndikuar në shkurtimin e të gjitha proçedurave dhe kohës së nevojshme për cilindo që dëshiron të hapë një biznes të ri.
Kohët e fundit, qeveria ka ndërmarrë hapat ligjore në ligjin për biznesin, duke shkurtuar kohën e regjistrimit në 8 ditë, nga 42 që ishte e përcaktuar me ligj më parë.
Reforma për biznesin synon forcimin e rolit rregullator të shtetit, i lehtëson punën biznesit dhe zhvillimit të tij, duke hequr të gjitha pengesat që ndikojnë në ngadalësimin e rritjes dhe zhvillimit të tij në Shqipëri. Aktualisht, rregjistrimi i biznesit përbën një nga shqetësimet e mëdha për këdo që dëshiron të çelë një biznes të ri. Në Tiranë, një biznesi për regjistrim i duhen 36.5 ditë, koha më e gjatë se në qytetet e tjera.

Qevria premton uljen e çmimit të energjisë për biznesin
Në një takim konsultativ me biznesmenë të ndryshëm, kryeministri Sali Berisha ka rikonfirmuar qëndrimin e qeverisë që ai drejton për të zvogëluar ndërhyrjen e shtetit në fushën e biznesit. Sipas tij, kjo është filozofia e qeverisë për të ecur në drejtim të liberalizimit të plotë të tregut. "Minimumi i ndërhyrjes shtetërore në biznese", kjo është motoja jonë, ky është thelbi i filozofisë tonë. "Në këtë aspekt, unë ju garantoj se nuk do të lëmë përpjekje pa bërë për të minimizuar ndërhyrjen shtetërore në punët tuaja", ka theksuar Berisha. Kreu qeverisë ka premtuar uljen e çmimit të energjisë për biznesin, duke e konsideruar të papranueshme tarifën që aplikohet aktualisht. Ai u shpreh se biznesmenët shqiptarë nuk mund ta paguajnë energjinë më shumë se të gjithë homologët e tjerë në rajon. "Qeveria merr përsipër një ulje të ndjeshme të çmimit të energjisë për biznesin dhe investitorët, dhe unë iu garantoj se ky do të jetë vetëm fillimi. Barrën e kësaj uljeje do ta përballojë tërësisht qeveria, kryekëput. Nuk mund të ndodhë që të paguajë biznesi dyfishin e çmimit që paguajnë qytetarët. Nuk ndodh kund kjo, vetëm këtu, ku shteti u bë sinonim i arbitraritetit. Ndaj dhe ne, së shpejti do të ndërmarrim vendime të reja për të ulur çmimin e energjisë që ju paguani. Ky do jetë vetëm hapi i parë", ka deklaruar kreu i qeverisë. Disa muaj më parë u ngrit një Task-Forcë për të lehtësuar klimën e tregut. Kreu i qeverisë siguroi komunitetin e biznesmenëve të pranishëm se shumë shpejt një paketë e dytë do të paraqitet, e cila do të ketë si objektiv ndërtimin, thjeshtimin e të gjitha procedurave për lejet e ndërtimit. Ai e konsideroi këtë reformë të një rëndësie të veçantë, pasi i heq shtetit rolin e sekserit, që penalizonte në maksimum njerëzit e punës dhe biznesit. "Në këtë mënyrë ne duhet që jo vetëm të minimizojmë rolin e shtetit, por dhe një rol akoma më të shëmtuar, më të keq, rolin e sekserit. Ju nuk duhet dhe nuk mund të përkuleni para askujt për një të drejtë që i takon çdo qytetari për të ushtruar veprimtarinë tuaj të lirë", ka shtuar Berisha. Kreu i ekzekutivit ka akuzuar dhe praktikat e ndjekura nga qeveria e kaluar, ku biznesi shikohej si potencial për klientelizëm.
Në qershor paketë e re fiskale për biznesin
Qeveria po bën realitet prmtimet e korrikut për ulje të taksave për biznesin e vogël, edhe pse në fillim hasën në pengesën e Fondit Monetar Ndërkombëtar duke mos u realizuar në kohën e premtuar. Marrëveshja e qeverisë me FMN e shtynë uljen e taksave për në muajin qershor. Berisha u ka premtuar biznesmenëve se së shpejti paketa fiskale do të rishikohet, pasi administrimi fiskal ka ecur mirë deri tani . "Ne do e mbajmë fjalën tonë. Ato që ju kemi premtuar ju para zgjedhjeve do t'i mbajmë një për një", tha kreu i qeverisë. "Qershori erdhi, vërtet nuk e realizuam dot në janar për shkak të marrëveshjes me FMN-në, por administrimi fiskal ka ecur aq mirë sa na lejon ne plotësisht, me besueshmëri të plotë brenda dhe jashtë vendit, të bëjmë lëvizjen e fuqishme fiskale që ju kemi premtuar. Edhe ajo lëvizje, edhe ato ndryshime para se të shpallen, do të mblidhemi në këtë sallë, do t'i diskutojmë bashkërisht dhe do t'i vendosim bashkërisht", ka nënvizuar Kreu i qeverisë

/Gazeta Start/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›