“One stop shop” për licencat, nis funksionimi në maj
Pas krijimit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, QKR, qeveria premtoi se do të ndërtojë një qendër “one stop shop” për dhënien e licencave. Në këtë qendër marrja e një licence redukton burokracitë duke mundësuar dhënien e saj në një qendër të vetme. Ministri Ruli ka deklaruar dje se Qendra Kombëtare e Licencimit do të nisë funksionin brenda muajit maj. “Me funksionimin e QKL-së biznesi do të çlirohet nga barra e madhe e të trokiturit në shumë dyer për të marrë një leje të vetme dhe nuk do të kërkojë gjatë informacion mbi aplikimin e tij, sepse do ta ketë atë gjithmonë të gatshëm dhe të prekshëm online", - u shpreh dje në Kuvend, ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli. Sipas tij, kjo është rrjedhojë e reformës rregullatore, për të cilën u ngrit një Task Forcë ndërministrore. Reforma rregullatore zgjati më shumë se 2 vjet, informoi z. Ruli, pasi u studiuan deri në imtësi të gjitha lejet dhe licencat e institucioneve në varësi të Këshillit të Ministrave. “Inventari tregoi se ishin një mori lejesh dhe licencash të ndryshme, një ngarkesë e panevojshme që krijonte një stres të madh për biznesin, pasi në emër të sigurisë publike gjithçka duhej të pajisej me leje apo licenca”, - tha Ruli. Ai shpjegoi se pas studimit rezultoi se nga më shumë se 180 leje dhe licenca, dy të tretat ishin të eliminueshme, ndërsa 60 të nevojshme. Kreu i METE-s vlerësoi si mjaft të rëndësishëm dhe Regjistrin Kombëtar të Lejeve dhe Licencave. "Kjo nënkupton faktin se aktet nuk hyjnë në fuqi pa u botuar në këtë regjistër, që do të jetë i aksesueshëm për të gjithë. Kushdo mund të hyjë dhe të marrë të dhëna", - tha Ruli.