E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI, sot lejet e legalizimit në Lezhë

20/03/2009  Kalendari

Në qarkun e Lezhës do të shpërndahen sot lejet e legalizimit, në vijimësi të kalendarit që Agjencia e Legalizimeve po zbaton në të gjithë vendin. Burime zyrtare të kësaj agjencie bëjnë të ditur se tashmë është hapur seria e takimeve për shpërndarjen e 150 lejeve të legalizimit në të gjitha qarqet e vendit. Vetëm pak ditë më parë u shpërndanë në Tiranë, në Elbasan, në Shkodër lejet e legalizimit për kontingjentet e parë të pasurive të formalizuara. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia, ka deklaruar në këtë takim se procesi po ecën sipas dinamikës së parashikuar dhe tashmë janë gati lejet për mijëra objekte informale në të gjithë vendin. Ata që nuk kanë mundësi të shlyejnë detyrimet mund të marrin kredi. Vetëm në qarkun e Shkodrës janë deklaruar 18 mijë objekte informale, nga të cilat për 12688 janë kryer matjet në terren dhe po përgatitet dokumentacioni tekniko-ligjor. Ndërkaq janë kualifikuar për legalizim 8627 objekte, të cilat do të pajisen me leje legalizimi menjëherë, pasi qytetarët të shlyejnë detyrimet financiare. Në qarkun Shkodër është miratuar shpërblimi sipas vendimit të Qeverisë për 51 familje ish-pronarësh. Për 705 familje të tjera ka dalë vendimi i Qeverisë për kalimin e pronësisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›