Basha-Pak, hapat e qeverisë drejt BE-së
Vizita e delegacionit të deputetëve të Parlamentit Evropian dhe kryetares Doris Pak nisi nga zyra e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, ku deputetët perëndimorë u informuan me hapat e qeverisë drejt afrimit me Bashkimin Evropian. Ministri Basha tha për eurodeputetët se qeveria është gati të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm të cilët do të siguronin një integrim sa më të shpejtë të vendit në familjen evropiane. Në takimin me eurodeputetët, ministri Basha foli për proceset integruese. Basha tha se Shqipëria ka realizuar detyrimet e saj kundrejt BE-së, si dhe ka realizuar reforma të guximshme. Kreu i diplomacisë shqiptare përmendi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, që sipas tij, nuk do të ndodhte në rast se reformat nuk do të ishin kryer nga qeveria. Eurodeputetët shprehën kënaqësinë për arritjet e Shqipërisë në proceset e saj integruese dhe për anëtarësimin e pritshëm muajin që vjen të Shqipërisë në NATO, si dhe vlerësuan kursin e qartë, të hapur e bashkëpunues të politikës së jashtme shqiptare. Duke shprehur mirënjohjen për angazhimin e të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë të BE-së në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, ministri Basha theksoi se perspektiva evropiane ka qenë gur themeli për zhvillimin e gjithanshëm të këtyre vendeve. Basha dhe Pak u ndalën edhe në zhvillimet në rajon, duke vlerësuar stabilitetin dhe realitetin e ri pas pavarësisë së Kosovës. Në mënyrë të veçantë, europarlamentarët shfaqën mjaft interes për këndvështrimin dhe analizat e shtetit shqiptar për zhvillimet në Kosovë.
Kryetarja e delegacionit, Doris Pak, pas përfundimit të takimeve me autoritetet shqiptare, dha një konferencë shtypi ku foli mbi detajet e takimeve. Duke u ndalur në temën kryesore të ditës, Pak vlerësoi se Shqipëria është e vendosur për aplikimin e statusit të kandidatit në Bashkimin Evropian. “Do të përmbledhim konkluzionet që kemi nxjerrë gjatë këtyre diskutimeve në një deklaratë”, - tha Pak në konferencën e djeshme. Duke u ndalur në temën e ditës për aplikimin në BE, Pak tha se në Bashkimin Evropian, jo çdo kush është në favor të zgjerimit të unionit. Ajo theksoi se “Shqipërisë nuk i hiqet mundësia, por duhet të përgatitet opinioni publik se është një rrugëtim i vështirë, pasi unioni nuk është në situatë të mirë ekonomike”. Eurodeputetja tha më tej se për zgjerimin do të ketë një tjetër delegacion nga BE-ja i cili do të jetë më specifik në kërkesat e tij. “Ne do të bëjmë ç'është e mundur që ju dhe vendet e tjera të afroheni me BE-në. Ju duhet të bëni punën tuaj, por gjithsesi ne do t’ju ndihmojmë”, - tha Pak. Doris Pak shtoi se qeveria dhe politika nuk duhet të shkëputin nga vëmendja prioritetet që ka vendi duke renditur të parën zgjedhjet e qershorit.