E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja kërkesat e biznesit për të përballuar krizën

20/03/2009  Mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë

Për 6 mijë apartamentet të hiqet taksa hipotekore dhe të favorizohen ata që blejnë për herë të parë

Bizneset kërkojnë heqjen e TVSH-së për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore dhe TVSH-ja të paguhet vetëm në rastin e rieksportimit të tyre. Gjithashtu të ulet TVSH-ja për importin e makinerive për industrinë e ndërtimit dhe vlera e saj të paguhet me këste të zgjatura. Këto janë vetëm disa nga kërkesat që bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë bënë publike dje në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme. Kreu i Dhomës së Tregtisë, si një prej organizatave qendrore të biznesit shqiptar, Gjokë Uldedaj, deklaroi dje se kriza e rëndë ekonomike që po kalon bota është një fenomen global. Si i tillë, nuk mund dhe nuk do të lërë pa prekur asnjë vend të globit. “Për shkak të efektit ‘domino’ ajo çfarë do të jetë e ndryshme do të jetë koha dhe format e shfaqjes së krizës në vende të veçanta”, - thanë përfaqësues të Asamblesë. Ata përshëndetën nismën e qeverisë për blerjen e 6 mijë apartamenteve, por kërkuan që të favorizohen familjet që blejnë shtëpi për herë të parë. “Kërkojmë që kjo nismë të thellohet, duke favorizuar shtëpitë me sipërfaqe deri në 90 m2 dhe ku shteti mund të marrë përsipër së paku 3% të interesit të kredisë, për blerjet e realizuara deri në maj 2010. Për të njëjtën kategori dhe për të njëjtën periudhë të hiqet edhe taksa hipotekore”, - nënvizuan përfaqësuesit në kërkesat e tyre. Ata propozuan që të ngrihet një komision koordinativ-konsultativ antikrizë i nivelit të lartë me përfaqësues nga të gjitha grupet e interesit. Gjithashtu kërkuan të vihet sa më shpejt në funksion Qendra e Licencimeve, të merret parasysh propozimi për legalizimin e aseteve tregtare, si dhe të gjenden dhe të aplikohen instrumentet që garantojnë liberalizimin faktik të lejeve të ndërtimit. “Të hiqen pagat e referencës për sektorët e ndërtimit, të prodhimit dhe për biznesin e vogël”, - nënvizuan ata. Ata kërkuan gjithashtu mbështetje me programe që ndihmojnë konkretisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të taksohet biznesi i vogël sipas vlerës së bilancit të thjeshtë të pranuar një vit më parë si dhe të kreditohen me kredi të buta (ose kredi, ku shteti paguan një pjesë të interesit të kredisë) kompanitë që vendosin të aplikojnë standardet ISO.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›