Onkologjiku, instalohen dy aparatura të reja
Dy aparatura të reja do t’i vinë në ndihmë pacientëve që vuajnë nga tumoret. Më në fund është instaluar një kobalt i ri që ka një kosto rreth 550 mijë dollarë, si dhe një tjetër aparaturë për tumoret gjinekologjike me vlerë 350 mijë dollarë. Inagurimi i këtyre aparaturave u bë nga Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo.
“Vënia në përdorim e këtyre dy aparaturave shënon një standard të ri në trajtimin e të sëmurëve me kancer, trajtimin radioperatik të tyre, pasi sjell një performancë të re dhe ajo që është më e rëndësishme edhe një dëm indor më të pakët, pasi fokusimi në masën tumorale është gjithnjë e më i shprehur”, tha Godo.
Shefi i Spitalit Onkologjik, Agim Sallaku, gjatë këtij inagurimi u shpreh se instalimi i aparaturave ka dy anë pozitive. “Dyfishohet numri i pacientëve dmth nga 1 mijë pacientë që trajtojmë mund të arrijmë në 2 mijë pacientë që trajtohen dhe rritet performanca e trajtimit dhe kjo është pika më e rëndësishme që ne mjekët kërkojmë”, tha Sallaku. Shërbimit onkologjik i mungon akseleratori, për të cilin tashmë janë dhënë fondet nga qeveria për blerjen e tij dhe shumë shpejt do të tenderohet. Që prej disa vitesh tashmë të sëmurët me kancer marrin trajtim me aparatura tejet të amortizuara. Me investimet e reja ata do të mund të kurohen siç duhet.