E Diel, 1 Nëntor 2026

Rasti i parë në Greqi me grip derrash, Shqipëria ne alarm

 

ZIRINA LLAMBRO

Pas konfirmimit zyrtar të rastit të parë me H1N1 në Greqi alarmohen strukturat shëndetësore edhe në vendin tonë. Rreziku  shfaqjen së tij në Shqipëri tashmë është më i madh për shkak të lëvizjes së emigrantëve nga njëri shtet në tjetrin. Gjithsesi, burime nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë me dije se nuk ka vend për panik. Situata është tërësisht brenda kontrollit dhe po merren të gjitha masat parandaluese. Ndërkaq, në një deklaratë për mediat përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri Anshu Banerjee, theksoi se duhet të forcohet sistemi i vëzhgimit në pikat kufitare. Kjo me qëllim verifikimin e njerëzve që hyjnë në vend, nëse shfaqin ose jo simptoma të gripit të derrit. “OBSH ka paralajmëruar që infeksioni mund të përhapet edhe në Shqipëri. Ministria ka krijuar tashmë një plan veprimi për identifikimin e këtyre rasteve dhe masat parandaluese që duhen marrë, kur diktohen persona të prekur”, u shpreh përfaqësuesi i OBSH-së në vendin tonë Anshu Banerjee. Nga të dhënat e OBSH, tashmë virusi i rrezikshëm është konfirmuar në 34 shtete dhe numri i të prekurve arrin në 7500 vetë. Veç kontrolleve të rrepta në pikat kufitare, një tjetër rekomandim është furnizimi i të gjitha pikave farmaceutike me antivirale, kryesisht Tamiflu. Ky medikament ka efekt vetëm nëse përdoret brenda 48 orëve nga fillimi i infeksionit. Sipas specialisteve, nëse pandemia do të përhapet ajo mesatarisht zgjat deri në 8 javë dhe sipas parashikimeve mund të prekë 500 vetë në ditë dhe në kulmin e saj vdekshmëria shkon në 20 në ditë. “Gripi i derrit është një infeksion akut viral i rrugëve të frymëmarrjes së derrave, që shkaktohet nga tipi A i virusit të gripit”. Vdekshmëria tek derrat është e ulët dhe shërimi ndodh brenda 7-10 ditëve”, sqarojnë specialistët e ISHP-së. Shenjat e tij janë thuajse të njëjta me ato të gripit të zakonshëm. Temperaturë e lartë, ethe, dhimbje kyçesh janë simptomat më të shpeshta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›