VLORE/ Vrasja e 18-vjeçarit, policia: E paramenduar
VLORE – Policia e Vlorës ka hedhur dyshimin se vrasja me thikë e 18-vjeçarit Armir Danajn pasditen e së hënës ishte e planifikuar nga autori, Arsi Dajlani. Ky i fundit, arrestuar disa orë pas vrasjes kishte refuzuar të shkonte në ekskursion bashkë me klasën e tij në Sarandë. I ndarë nga shokët e klasës të shkollës jopublike “Aulona” ai ka qëndruar në Vlorë, çka sipas policisë të lë të dyshosh për rrethanat e ngjarjes së rëndë. Pas arrestimit ai ka tentuar që të mohojë autorësinë, por përballë provave është detyruar që të pranojë se e kishte vrarë ai Danajn pasi i kishte ngacmuar të dashurën. Sipas dëshmisë së dy shokëve të viktimës, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, Dajlani është ndodhur në afërsi të tyre në momentin që ata kishin dalë nga kursi i anglishtes. Bashkë me të dashurën dhe nënën e kësaj të fundit, 19–vjeçari i është afruar viktimës, duke e akuzuar se ai e kishte ofenduar. Në sajë të hetimeve të kryera, provave të siguruara edhe nga rrëfimet e dëshmitarëve, rezultoi se dy djemtë janë zënë me grushte me njëri-tjetrin. Dajlani vijonte të akuzonte viktimën se disa kohë më parë i kishte ngacmuar edhe të dashurën. Mësohet se kjo e fundit bashkë me të ëmën ishin vetëm pak metra larg vendit ku u zhvillua konflikti. Ato janë marrë disa herë në pyetje, pasi ka dyshime se prania e tyre nuk ka qenë e rastësishme në momentin kur është vrarë Armir Danaj, megjithatë policia nuk ka bërë të ditur pozicionin dhe dëshminë e tyre.