E Shtunë, 31 Tetor 2026

Onkologu Karaj, në gjyq me dy kolegë

Prokuroria ka mbyllur hetimin, për kirurgun Agim Karaj dhe dy mjekë të tjerë. Mitmarrje, korrupsion pasiv


Mjekut të arrestuar 6 muaj më parë duke marrë para, pritet t'i shtohet edhe akuza e largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit


TIRANË- Seksionit të task-forcës pranë Prokurorisë së kryeqytetit, iu deshën pesë muaj hetim për të zbardhur "abuzimet" e onkologut Agim Karaj, i cili kundrejt operimeve që kryente kërkonte shuma të ndryshme parash nga pacientët dhe familjarët e tyre. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë prokurorisë së kryeqytetit, të cilët shtuan se me mbylljen e fazës hetimore, prokurori i çështjes, Julian Xhengo, ka marrë nën akuzë edhe dy kolegë të tij, të cilët ishin prezentë në momentin që mjeku Karaj po i kërkonte dhe merrte lekët e operacionit të kryer. Sipas këtyre burimeve, dy kolegët e onkologut Karaj, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, akuzohen për kryerjen e veprës penale të "mos kallëzimit të krimit". Mësohet se emrat e dy mjekëve të cilët janë marrë të pandehur nën akuzën e "mos kallëzim krimit" kanë dalë nga dëshmia e njërit prej kallëzuesve të onkologut Karaj dhe vetë oficerëve të policisë, në momentin e arrestimit në flagrancë të mjekut, ku dy mjekët ishin prezentë në momentin e dorëzimit të lekëve nga "kallëzuesi" i rekrutuar nga policia. Sipas kërkesës për gjykim, që pritet që gjatë javës që po vjen të dërgohet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për gjykim, mësohet se ndaj të pandehurit Agim Karaj rëndon akuza e "korrupsionit pasiv" dhe "shpërdorimit të detyrës", ndërsa për dy kolegët e tij akuza e "mos kallëzim krimit". Gjithashtu, sipas akuzës, mësohet në fillim të javës që po vjen, do të vendoset që ndaj onkologut Karaj të ngrihet ose jo akuza e "Largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit". Pasi, vetëm pak muaj më parë kur Gjykata e Apelit vendosi të ndryshojë masën e sigurisë nga "arrest shtëpie" siç kishte dhënë Gjykata e Shkallës së Parë në "arrest me burg", oficerët nuk e gjetën në vendbanimin e tij onkologun Karaj, i cili kishte ikur. Por, pas rekursit të këtij vendimi të Gjykatës së Apelit në Gjykatën e Lartë, ishin gjyqtarët e kësaj gjykate që prishën vendimin e Apelit dhe lanë në fuqi atë të Shkallës së Parë, për t'i dhënë mundësi onkologut Karaj të kthehet në vendbanimin e tij. Sipas akuzës, ndaj të pandehurit Karaj janë provuar disa raste të abuzimit me detyrën, duke iu kërkuar dhe marrë shuma të ndryshme parash pacientëve e familjarëve të tyre që operoheshin në Spitalin Onkologjik në kryeqytet. Arrestimi i shefit të Onkologjikut, kirurgut Agim Karaj, u krye mesditën e 2 nëntorit nga specialistët e krimit ekonomiko-financiar pranë Policisë së Shtetit të drejtuar nga prokurori i çështjes Xhenga, i cili kishte siguruar një vendim të togave të zeza që i caktonte masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë, vendim ky i cili 72 orë pas arrestimit u prish po nga e njëjta gjyqtare, duke e lënë atë me masën e sigurisë "arrest shtëpie". Pas arrestimit, mjekut Karaj iu verifikuan edhe llogaritë bankare, ku sipas akuzës, është treguar shumë i kujdesshëm duke lënë aty vetëm 5 mijë euro, ndërsa të ardhurat e tjera që mendohet se i siguronte nga mitmarrja, i "zhdukte" menjëherë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›