E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seriali i vrasjeve të ndodhura në Tropojë.

Morali në detyrë
Policia e verilindjes, sipas drejtuesve të saj, ka pësuar një goditje në aspektin psikologjik pas vrasjes së dy policëve në Shemri të Kukësit. "Pas vrasjes së policëve në Shemri të Kukësit, efektivat sikur janë dekurajuar, madje ndjehen të shokuar. Po bëjmë punën e psikologut duke i inkurajuar në punë e tyre",- thonë krerët e policisë lokale


Vrasja e parë e Hamdi Haklajt në gusht 1993 dhe hasmëria "politike" mes fiseve Haklaj e Hoxha

Vrasjet në seri të ndodhura në Tropoja e kanë zanafillën në gusht të vitit 1993. Më 7 gusht të vitit 1993, në një pelegrinazh në vendin e quajtur "Varri i Shkëlzenit", në malin me të njëjtin emër, Hamdi Haklaj ka vrarë vëllezërit Guxim e Besim Demaj nga Shipshani i këtij rrethi. Vrasja kishte ndodhur pas një grindjeje të Shkëlqim Haklajt i vrarë më vonë dhe viktimës Besim Dema.

Dy viktimat, Guxim e Besim Dema, motra e tyre dhe tre djemtë e xhaxhallarëve kanë qenë duke ngrëne drekë pas përfundimit të pelegrinazhit kur ka ndodhur grindja. Sipas dëshmitarëve, Shkëlqim Haklajt ishte afruar tek pjesëtarët e familjes Dema dhe i kishte shqetësuar ata. Besim Dema ka ndërhyrë dhe zëniet me fjalë janë pasuar me përleshje fizike me Shkëlqim Haklajn. Në këtë moment, kanë theksuar dëshmitarët, ka ndërhyrë Hamdi Haklaj duke qëlluar me pistoletë Besim Demën dhe vëllanë e tij, Guximin.

Të dy gjetën vdekjen. Autori i kësaj vrasjeje, Hamdi Haklaj, është larguar nga vendi i ngjarjes duke qëndruar i fshehur në male. Për kapjen e tij asokohe u angazhuan dhjetëra forca speciale dhe helikopterë të policisë shqiptare, të cilët kanë shkëmbyer zjarr me autorin e vrasjes Hamdi Haklaj, por pa arritur që ta kapin.

Ky ka qenë aksioni i parë dhe i fundit në Shqipëri për arrestimin e Hamdi Haklajt, i cili bashkë me vëllezërit kishte filluar serialin e vrasjeve në emër të familjes së tij. Pas kësaj vrasjeje ai ka qëndruar për vite të tëra në arrati duke realizuar edhe vrasje të tjera. Në vitin 2004 Hamdi Haklaj akuzohet se ka vrarë Ramë Hoxhën e krahinës së Gashit dhe mbesën e tij 18- vjeçare.


Më 9 prill të vitit 2004, policia shqiptare mori nën kontroll kullën e Haklajve në fshatin Kërrnajë të Tropojës ku ka zbuluar një arsenal armësh dhe mjetesh të tjera luftarake. Armët u dërguan për ekspertim balistik në Tiranë, ku pas ekspertimit nga policia shkencore ka rezultuar se njëra prej armëve të gjetura në kullën e Muharrem Haklajt të ketë vrarë policin Musë Dunisha me 25 maj të vitit 1999.

Dunisha shërbente si punonjës ndërlidhjeje në komisariatin e Policisë Tropojë. Haklajt e akuzonin si pjesëmarrës në atentatin e parë me telekomandë ndaj Fatmirit, ku mbeti i vrarë Eduart Haklaj, nipi i Fatmir Haklajt dhe u plagos ky i fundit.


Të mbiejtuarit


Nga shtëpia e Haklajve aktualisht kanë mbetur vetëm dy meshkuj, pikërisht babai i Fatmir Haklajt, Muharremi, dhe djali i madh, Hamdiu. Ai ndodhet në Suedi bashkë me motrën e tij Zylfien ku kanë marrë azil politik.

Zylfie Haklaj


Motra e Fatmirit ,Zylfie Haklaj, në vitin 2002, ka vrarë me armë zjarri kallashnikov në një kafe në hotel "Shkëlzeni" të qytetit të Bajram Currit, Rasim Lumneshin e Ilir Gosturanin. Kjo vrasje e cila solli një bujë të madhe në të gjithë Malësinë e Gjakovës u motivua si hakmarrje e motrës për vëllezërit e vrarë. Zylfie Haklaj flitet se është betuar për të realizuar vrasje të tjera në shenjë hakmarrjeje ndaj vëllezërve të vrarë.

Fatmir Haklaj


Në vitin 1997 Fatmir Haklaj është emëruar shef i komisariatit të Policisë së Tropojës. Duke qenë drejtues policie ai ka vrarë me pistoletë në mjediset e këtij komisariati oficerin e policisë kufitare Shaqir Hoxha. Këtë vrasje ai e ka kryer në shenjë hakmarrjeje, vetëm një ditë pas vrasjes së vëllait të tij Halil Haklaj.

Viktimat


Zinxhiri i vrasjeve nuk është ndalur, ku si pasojë e përplasjeve në mes të fiseve Hoxha dhe Haklaj kanë mbetur të vrarë tre djem të Muharrem Haklajt, pikërisht Halili, Fatmiri dhe Shkëlqimi si dhe nipi i tyre Ylli Haklaj. Nga Hoxhajt janë vrarë Shaqir e Ramë Hoxha.

Vrasja e Azem Hajdarit


Fatmir Haklaj është etiketuar si kreu i të fortëve në grupin që përbëhej nga treshja Feriz Kërrnaja, Jah Sali Mulosmani e Fatmir Haklaj. Kjo treshe akuzohet për shumë ngjarje e vrasje të ndodhura në Tropojë, përfshi edhe vrasjen e Azem Hajdarit , mbrëmjen e 12 shtatorit të vitit 1998.

Krimet


Në gusht të vitit 1998, ndaj automjetit me të cilën udhëtonte Feriz Kërnaja, Fatmir Haklaj e Jaho Salihi, në vendin e quajtur Ura e Valbonës është organizuar një atentat i tipit mafioz me minë të telekomanduar, ku për pasojë mbeti i vrarë Feriz Kërnaja dhe u plagos rëndë Fatmir Haklaj. Në të njëjtën ditë në qytetin e Bajram Currit janë vrarë Bislim Hyka (vëllai i ish- drejtorit të policisë së Kukësit Jonuz Hyka, i vrarë edhe ai më vonë në qytetin e Bajram Currit) dhe Isuf Bashkurti.

Në vendngjarjen e vrasjes së Bashkurtit dhe Hykës policia kishte arritur të gjente tre gëzhoja dhe një kokë plumbi, të cilët i përkisnin kësaj arme.

Pas krahasimeve të bëra, doli se e njëjta armë ishte përdorur në ekzekutimin e Abdyl Matoshit, Gjin Kol Buçajt dhe Naim Dizdarit më gjashtë janar 1998 në Cerrnicë të Tropojës. I njëjti "Kallashnikov" i formatit të shkurtër ishte përdorur edhe në atentatin ndaj Azem Hajdarit më tre qershor 1998 në Bajram Curri.

Qetësimi i situatës


Zinxhiri i vrasjeve në Tropojë është rralluar pas vrasjes së "kapos" Fatmir Haklajt dhe burgosjes përjetë të Jaho Mulosmanit, dy personat që ekzekutuan Azem Hajdarin. Fatmir Haklaj është vrarë në nëntor të vitit 1999, teksa po dilte nga shtëpia e Jaho Mulosmanit në Bujan të Tropojës. Pas kësaj ngjarje ka filluar sërish seriali i vrasjeve në Tropojë dhe që kishin për autorë pjesëtarë të mbetur të familjes së Muharrem Haklajt, Hamdi e Zylfie Haklajn.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›