Miku i Haklajve kërkon liri me kusht në Gjykate
TIRANË- Ish-efektivi i RENEA-s, Petrit Brahaj, mik i ngushtë i Fatmir Haklajt, kërkon nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ta lirojë me kusht nga qelia e burgut për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. I dënuari me 10 vjet burg për grabitjen e bankës së kursimit në qytetin e Bajram Currit në vitin 1997, Brahaj, që ka depozituar pranë togave të zeza kërkesën për lirim me kusht, kërkesë e cila pas shortit elektronik do të shqyrtohet nga gjyqtari Bujar Krasniqi. Sipas kërkesës së dorëzuar tashmë në gjykatë, i dënuari Brahaj kërkon të lirohet pasi Spitali i Burgut nuk përmbush kushtet elementare për jetën e një invalidi paraplegjik siç është vetë ai. Arsyeja që i dënuari Brahaj ka përfunduar në karrocë invalidësh është një atentat ndaj tij i kryer më 20 gusht 2001, ku për pasojë mbeti i plagosur me 6 plumba dhe nuk u lejua, sipas tij, të dilte jashtë shtetit për kurim. Kërkesa e lirimit me kusht, sipas burimeve nga gjykata, pritet që gjatë javës që po vjen, gjyqtari Krasniqi të caktojë datën e seancës së parë gjyqësore për shqyrtimin e kësaj kërkese. Ndërkohë, ka qenë data 23 janar 2009 kur ish-efektiv i Repartit Special të Policisë RENEA-së, Petrit Brahaj është ekstraduar nga Franca, vend në të cilin po i fshihej drejtësisë shqiptare për vjedhjen e "Bankës së Kursimeve" në Tropojë në vitin 1997. I dënuari me 10 vjet burg Petrit Brahaj, në vitin 1998 është akuzuar publikisht nga kryeministri Sali Berisha, si pjesëmarrës në vrasjen e deputetit Azem Hajdari më 12 shtatorin e 1998-së në kryeqytet. Sipas vendimit të dhënë në vitin 2004, i dënuari Brahaj nga Kërnaja e Tropojës, njihej ndryshe edhe si mik i Jaho Mulosmanit, i dënuar përjetë për vrasjen e deputetit Azem Hajdari. Arrestimi i Brahajt në Francë, ndodhi gjatë vitit 2008, menjëherë pas denoncimit të ish-bashkëshortes së tij të divorcuar, e cila e kishte akuzuar për se ia kishte rrëmbyer vajzën dhe ia mbante në Francë. Vajza i ishte lënë në kujdestari së ëmës, kur Brahja ishte në burg në Shqipëri, por pas daljes nga burgu ai kishte rrëmbyer vajzën dhe ishte larguar për në Francë.