“Open Data”: Çmimi i bukës në 2010, 7 % më i lartë
Rritja e çmimit të bukës dhe drithit me pakicë ka qenë 7 % për vitin 2010, ndërsa qasja krahasuese për vitin 2009 tregon një ulje me 4 %. Një projekt i SORROS, “Open data” për transparencën në fusha të ndryshme në vend, gjatë studimit të tregut të drithërave dhe bukës, si produkt jetik ka rezultuar se, nga viti 2006 – 2010 sjellja e importit dhe eksportit të drithërave ka pasur një fenomen të tillë që, nga viti 2006 -2007 importi i këtij produkti ka pësuar rritje me 7 tonë, ka rënë në 2008 dhe 2009 dhe në 2010 importi i drithërave ka pësuar sërish rritje. Importi i drithit, i reflektuar në të ardhura në lekë, për 2006 ka rezultuar 5624 mln lekë, për vitin pasardhës 8103 mln lekë, për 2008 importi i drithit ka sjellë 10110 mln lekë dhe 7238 mln lekë për vitin 2009 duke pasuar me 9116 mln lekë për 2010. Të ardhurat më të mëdha janë vënë re në vitin 2008, nga importi i drithërave, duke pësuar një rënie në 2009 dhe një rritje në 2010. Ndërkohë që eksporti ka qenë në ritme shumë të ulëta. Gjithashtu, ndër pesë vitet e fundit, edhe çmimi mesatar për një ton drith të importuar ka ndryshuar. Të dhënat e raportit të transparencës, të financuar nga SOROS, tregojnë se në 2006 një ton drith importi ka kushtuar 16,047.57 lekë, kurse në 2007 toni i drithit të importuar ka kushtuar 22,654 .58 lekë. Në 2008 një ton drith i importuar është rritur me gati 8000 lekë duke kushtuar 30,647.23 lekë. Në vitin 2009, drithi i importuar ka pësuar ulje çmimi, duke kushtuar 24,014.76 lekë dhe në 2010 është vërejtur një tjetër rritje çmimi ku një ton drith importi kushtoi 28,300.72 lekë. Pra çmimi mesatar nga 2009 në 2010 është rritur me 18%, ndërkohë që nga 2008 në 2009 është ulur me 22%. Ndërsa indeksi i çmimeve të bukës dhe drithërave gjatë 2010 është rritur me 7.3%, dhe është ulur me 4.3%. Në këtë mënyrë, rritja e çmimit të drithit të importit me më shumë se 4000 lekë për ton për vitin 2010, shpjegon edhe çmimin e lartë që produkti jetik bukë ka pësuar gjatë vitit 2010.