E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: Adoleshentët, seks që 13 vjeç

SHKRUAN: Jonida Tashi 28-02-2011 11:09

Ulet mosha e kryerjes së marrëdhënieve seksuale te adoleshentët. Sipas një studimi të fundit, të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në shkollat e kryeqytetit, mosha mesatare kur adoleshentët vendosin të kryejnë marrëdhënie seksuale për herë të parë është 13-14 vjeç, por nuk mungojnë as rastet, megjithëse sporadike, që nxënësit bëjnë seks rishtas që 11 vjeç. Sipas studimit të ISHP-së, ndër moshat 13-15 vjeç në vendin tonë janë gati 14% ose 391 nxënës që janë të përfshirë në kontakte seksuale dhe një shumicë prej 2369 nxënësish, në 2779 pyetësorë të mbledhur, që nuk e kanë provuar këtë eksperiencë. Kurse në Europë, lidhur me kontaktet seksuale të adoleshentëve respektivë kemi një incidencë që luhatet nga 12% në Sllovaki në 61% në Groenlandë. Për këtë situatë tepër shqetësuese për familjet shqiptare, specialistët e shëndetit publik fajësojnë shkollat për rolin e tyre edukativ, duke kërkuar që në kurrikulat e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm të futet lënda e Edukatës seksuale. Specialistja e shëndetit publik, Lumturi Mërkuri, shprehet se futja e kësaj lënde në shkolla është një domosdoshmëri për të edukuar të rinjtë në sjelljet e tyre seksuale, dhe për këtë arsye ajo bën të ditur se Ministria e Shëndetësisë i ka propozuar dhe është duke bashkëpunuar me Ministrinë e Arsimit, që të përfshijë në kurrikulën mësimore lëndën e Edukatës seksuale në klasën e shtatë, që aktualisht është e përfshirë në lëndën e Biologjisë. Ndërsa përsa i përket rreziqeve që u kanosen adoleshentëve nga kryerja e marrëdhënieve në moshë të vogël, mjekët shpjegojnë se ato janë të shumta, duke filluar që nga marrja e infeksioneve të transmetueshme e deri te shtatzënitë e padëshiruara. Nisur nga këto të dhëna, specialistët e shëndetit publik pohojnë se duhet patjetër të modelohet puna edukative në drejtim të krijimit të qëndrimeve pozitive dhe sjelljeve të shëndetshme për ata që përfshihen në përvoja të caktuara seksuale. Ajo që ata këshillojnë dhe tentojnë të edukojnë tek adoleshentët është që, në pamundësi për të spostuar moshën e kontaktit të parë seksual, gjithmonë duhet të përdoren masa mbrojtëse për seks të sigurt. Në këtë kuptim, metoda më e mirë është përdorimi i kondomit apo prezervativit. Edhe për këtë çështje, specialistët e ISHP-së i janë drejtuar me një pyetje të veçantë nxënësve, se sa e njohin dhe sa e përdorin adoleshentët tanë këtë metodë? “Në përgjigje të pyetjes sonë rezulton se në 14% adoleshentë që deklarojnë se kanë pasur kontakte seksuale, kemi rreth 7% të tyre që e kanë përdorur kondomin në kontaktin e fundit seksual dhe 7% të tjerë që nuk e kanë përdorur atë. Ndaj tentativa jonë, për të rritur ndjeshmërinë e brezit të ri për mbrojtjen e shëndetit përmes seksit të sigurt, duhet të jetë e vazhdueshme, duhet të përsëritet me të njëjtin intensitet dhe mbi të gjitha duhet të jetë sa më bindëse dhe sa më shkencore. Vetëm përmes kësaj pune ne do të arrijmë të jemi të suksesshëm tek adoleshentët, duke tentuar të realizojmë ndryshimin e sjelljeve të tyre drejt sjelljeve të shëndetshme”, - thuhet në studimin e ISHP-së. “Sjelljet e shëndetshme të fëmijëve të moshës shkollore”, përsa i takon pjesës së sjelljes seksuale. “Sjellja e shëndetshme seksuale ose mirëqenia seksuale përfshin katër fusha zhvillimi që janë: ndjenjat pozitive rreth trupit të dikujt; ndjenjat e ngritjes dhe dëshirës seksuale; përfshirja në sjellje seksuale; dhe për ata që janë përfshirë në marrëdhënie seksuale, praktikimi i seksit të sigurt”, - sqarojnë specialistët e shëndetit publik. Sipas këtyre të fundit, të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm që, përfshirja në sjellje seksuale dhe akoma më shumë përfshirja në marrëdhënie seksuale është një sjellje që shoqërohet me shumë dilema dhe që ka nevojë të vlerësohet e të peshohet gjatë, para se të kryhet. Dhe kjo për shumë arsye. “Është një ironi e fatit që shumë vendime për veten, njerëzit detyrohen t’i marrin kur nuk e kanë pjekurinë e duhur për atë që do të bëjnë. Kështu edhe për përfshirjen në marrëdhënien seksuale, adoleshentët piqen seksualisht dhe kanë dëshira seksuale që në moshë fare të njomë, që kur janë 12-15 vjeç. Dhe ta mendosh që në këtë moshë duhet të mendojnë dhe të veprojnë me maturi për të mos dëmtuar shëndetin e tyre, për të evituar shtatzënitë e padëshiruara dhe, çka është më e rëndësishme, për të evituar infektimin me infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST) dhe me HIV/AIDS”, - argumentohet në studim. Ndërsa pyetjes që rëndom do të përdorej në të tilla raste: A nuk është kjo një “barrë” e rëndë për një adoleshent që eksperimenton për herë të parë marrëdhënie seksuale?, specialistët e shëndetit publik i përgjigjen: Patjetër që është! Ndaj edhe procesi edukativ duhet të fillojë sa më herët, ndaj në këtë proces duhet të angazhohen sa më shumë aktorë, ku në mënyrë të veçantë do të përmendnim familjen, shkollën, shoqërinë civile, median etj.

Përkundrejt uljes së moshës së seksit, në të njëjtin trend ka shkuar edhe ajo e ardhjes së menstruacioneve të para te vajzat. Drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni”, i njohur ndryshe si Materniteti i Ri, Rubena Moisiu, bën të ditur se është ulur mosha e ardhjes së menstruacioneve të para te vajzat. Kjo moshë sipas saj ka shkuar në 11-12 vjeçe, por edhe për këtë çështje nuk mungojnë as rastet sporadike që vajzave t’u vijë cikli i parë menstrual që në moshën 9-vjeçe. Drejtoresha e Maternitetit të ri shpjegon se ky është një trend botëror, dhe ndër faktorët që kanë ndikuar, sipas saj, janë mënyra e të ushqyerit, pasi mjaft ushqime kanë në përmbajtjen e tyre hormone, por edhe informacioni i pakontrolluar që adoleshentët marrin në shkollë, në televizor, e kudo tjetër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›