Opera kujton Nikolla Zoraqin
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka kujtuar dje kompozitorin e njohur, Nikolla Zoraqi, në 80-vjetorin e lindjes së tij. Aktivitetet për Zoraqin do të vazhdojnë dhe më tej, me mbrëmje të ndryshme koncertore, të cilat do të kenë në përmbajtje pjesë nga mjeshtri i njohur. Kompozitori Zoraqi lindi në Tiranë më 24 janar të vitit 1929 dhe vdiq po në kryeqytet më 9 shtator, 1991. Ai la pas një krijimtari të gjerë e të spikatur, duke bërë që me veprën e tij, pasuria muzikore shqiptare të lëvrohej dhe të pasurohej më tej. Studimet në Moskë në Konservatorin “Çajkovski”, megjithëse nuk i përmbylli dot plotësisht, bënë që ai të rikthehej në vendlindje me një formim profesional. Detyrat e ndryshme që Zoraqi ka pasur nisin që nga inspektimi muzikor, pedagogjia, deri te dirigjimi orkestral dhe kompozicioni. Krijimet e kompozitorit u vlerësuan shumë gjatë kompeticioneve kryesore të kohës, siç ishin Koncertet e Majit, festivalet dhe konkurset e ndryshme. Mjaft vepra të tij janë luajtur nga Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Orkestra Simfonike e RTVSH-së, si edhe në Akademinë e Arteve të Bukura, Liceun Artistik etj. Zoraqi ka marrë dy tituj nderi për punët dhe arritjet e tij siç janë “Artist i Merituar” dhe “Artist i Popullit”. Ndërsa nga sukseset e kompozitorit mund të veçohet baleti “Cuca e maleve”, ai pati edhe vepra të pashfaqura si “Vjollca e Skënderbeut”, e nuk munguan as veprat e ndaluara siç ishte baleti “Ritme dhe ndjenja popullore” në vitin 1970 dhe rapsodia koreografike “Historia e një kënge”, një vit më vonë.
Zhani Ciko thotë mes të tjerash për Nikolla Zoraqin se “Ai ishte autor i veprave të të gjitha gjinive, që nga kënga e thjeshtë, muzika e dhomës, tek ajo simfonike, e deri tek opera dhe baleti. Mbetet kompozitori me katalogun më të pasur të krijimtarisë.”
“Take That”: “Me Robin Uilliams ndihemi fajtorë”
Anëtarët e “Take That” rikthehen dhe flasin për ish-shokun e grupit, Robi Uilliams. E bëjnë duke u rrëfyer e ndier disi në faj për çfarë ka ndodhur në jetën e shokut të tyre. Ka keqardhje që nuk kanë mundur ta ndihmojnë në kohë. Tani këngëtari po disintoksikohet nga alkooli dhe droga në një klinikë në Los Anxhelos. Të katërt në një mendje shprehen optimistë për një rikthim të Robit në grup. “Besoj se një ditë do të kthehet mes nesh”, - është shprehur Houard për tabloidin “The Sun”. Geri Barlou, lideri i grupit, pranon: “Kanë ndodhur disa ngjarje, të cilat duhet të na kishin bërë të reflektonim para se Robin të na linte”. Ai pranon gjithashtu se ka qenë i aftë të dallonte shenjat e para të krizës te shoku i tij. Ndërsa Houard Donald për revistën “Q” pohon: “Fola me Robin këtë verë lidhur me këtë çështje. I thashë se më vinte tmerrësisht keq që kur ishim bashkë në ‘Take That’ nuk e kisha kuptuar që ai pinte një shishe vodkë në ditë”. Më pas ai shton: “Tymosnim marijuanë dhe qeshnim si idiotë, përdornim droga të lehta. Përsa më përket, tashmë jam krenar që nuk vazhdova t’i përdor më dhe që nuk pi alkool. Ndërsa për shokun ai thotë: Robi me mua sillej ndryshe. Ai ka një personalitet më të dobët dhe mbase në atë periudhë ishte i trishtuar”. Edhe Mark Ouen bën rrëfimin e tij: “Ndihem paksa në faj që nuk kam qenë mjaftueshëm i pjekur në atë kohë për t’i kuptuar problemet e tij. Është ende njëri prej nesh, i kërkoj falje. Jam i sigurt se jeta e tij mund të jetë më e mirë. Grupi është tashmë gati për një rikthim të Robin”. Mark ka shtuar se ata kanë ndër mend t’i propozojnë të këndojnë së bashku “Happy Ending”, një këngë që pritet të jetë pjesë e albumit të ri “The cirkus”. Anëtarët e tjerë të grupit e kanë përkrahur idenë. Sipas Xhezon Orinxh: "Kjo mund të jetë një mundësi e mirë”.
26 Janar 2009