Arrestohen dy zhvatësit e Xhon Travoltës në Bahamas
Policia në Bahamas ka arrestuar një anëtar të Senatit në Nasau dhe një shofer ambulance, pasi dyshohet se ata kanë organizuar një plan për t’i zhvatur para aktorit amerikan, Xhon Travolta. Marvin Deims, drejtor i Policisë lokale, bëri të ditur se senatori Pleasant Brixhuotër u arrestua ditën e premte, ndërsa shoferi u arrestua ditën e djeshme. Disa ditë më parë u përhap lajmi se dy persona kishin takuar Xhon Travoltën dhe i kishin kërkuar atij miliona dollarë në këmbim të një fotografie të të birit në një ambulancë që po e çonte për në spital në kohën që ishte ende gjallë. Djali 16-vjeçar i Xhon Travoltës, Xhet, vdiq më 2 janar si pasojë e një sëmundjeje teksa ishin me pushime me familjen në Bahamas. Djali u gjend pa ndjenja në banjën e shtëpisë, pasi kishte përplasur kokën në vaskën e banjës. Qenë të dështuara tentativat e të atit për ta sjellë në jetë.
26 Janar 2009