E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacion i rrallë në QSUT, hiqet tumori 15 kg

Agim Karaj: Kjo është një nga ndërhyrjet më të rënda të realizuara në pavijonin tonë

Një tumor prej 15 kilogramësh i është hequr nga këmba e majtë një pacienti 62-vjeçar, ndërhyrje kjo e realizuar për herë të parë nga mjekët e Spitalit Onkologjik në QSUT. Operacioni i rrallë, që është kryer me sukses nga mjekët e Onkologjikut, i ka rikthyer shpresat për të jetuar pacientit Adrian Bankollari, nga Tirana, i cili është shtruar më 26 qershor në ambientet e Onkologjikut, ku po qëndrona ende për trajtimin përfundimtar të terapisë. Operacioni që ka zgjatur për më shumë se 6 orë, ka kërkuar vëmendjen më të madhe edhe nga ana e Drejtorisë së QSUT-së, e cila ka bërë të mundur blerjen e medikamenteve shtesë për këtë pacient, por edhe për sigurimin e gjakut, pasi gjatë ndërhyrjes kirurgjikale atij i është nevojitur një sasi prej 4 litrash. Shefi i Pavijonit Onkologjik, mjeku kirurg Agim Karaj, që ka realizuar edhe ndërhyrjen, ka sqaruar gjithë procedurën e kryerjes së këtij operacioni. “Kjo është një nga ndërhyrjet më të rënda të realizuara në pavijonin tonë. Pacienti ka ardhur në një gjendje të rëndë shëndetësore, pasi tumori ishte në një masë tepër të madhe, që bllokonte gjithë kofshën dhe pjesën e legenit. Një pjesë e mjekëve e kishin konsideruar si të paoperueshëm, dhe pacienti duhet të shkonte në shtëpi, por me trajtimin medikamentoz qe i kemi bërë fillimisht, arritëm në fazën që mund të ndërhynim. Ndërhyrja është realizuar nga barku, duke prerë enët e gjakut për të hequr gjithë pjesën tumorale që ndodhej në këmbë dhe në pjesën e legenit. Aktualisht, gjendja është e mirë, pasi tumori nuk ka një formë agresive malinje, pa metastaza. Ne shpresojmë që gjendja e tij të përmirësohet dhe mund të ketë një mbijetesë si gjithë të tjerët. Po kështu, me ndihmën e Drejtorisë se QSUT-së i erdhëm në ndihmë një familjeje e cila nuk ishte në gjendje të mirë ekonomike, pasi ky lloj operacioni jashtë kushton nga 38 deri në 40 mijë euro. Përsa i përket operacioneve të tjera, në kryejmë rreth 1350 ndërhyrje në vit”, - ka pohuar kirurgu Karaj. Ndërsa 62-vjeçari, në gjendje të flasë dhe të ndihet i lumtur pas operacionit të fundit, është shprehur se si problem shëndetësor, fillimisht i kishte nisur si ënjtje në këmbë, të cilën ai e kishte neglizhuar për një kohë të gjatë, derisa mbërriti në kushte kritike në duart e mjekëve të Onkologjikut në QSUT.

Terapia me rreze, vetëm me një aparaturë

Terapia me rreze për të sëmurët me tumore përballohet vetëm nga një aparaturë, që është ajo e kobaltit dhe është unike në shërbimin publik. Aparatura tjetër e kobaltit ka pësuar një defekt dhe sipas shefes së Biomedikalt në QSUT, Edlira Dilaveri, mjekët onkologë kanë ndryshuar programin e punës për të përballuar numrin e madh të pacientëve, që i nënshtrohen kësaj terapie. Ndërsa pritet që ditën e sotme të vijnë në këtë shërbim inxhinierët italianë, për të parë dhe rregulluar defektin, që ka pësuar aparatura tjetër e kobaltit. “Momentalisht aparatura e re e kobaltit është në funksion të plotë, ndërsa e vjetra ka disa ditë që nuk punon. Pasi është bërë një diagnostikim i pjesshëm nga inxhinierët e njësisë së inxhinierisë klinike, mirëmbajtja e kësaj aparature, duhet të theksoj se bëhet nga një firmë italiane. Është komunikuar me inxhinierin e firmës dhe ditën e enjte do të vijë për një diagnostikim të plotë të aparaturës. Nëse nuk ka probleme, ndërrim të pjesëve konsumabël, atëherë riparimi do të bëhet deri në fundjavë, por nëse do të ketë probleme të zëvendësimit të pjesëve, pritet që nga java e ardhshme aparatura të jetë në funksionim të plotë”, - pohon Dilaveri. Me rritjen e të prekurve nga kanceri është shtuar dhe fluksi i pacientëve që marrin terapi me rreze. Nga rreth 2500 raste të diagnostikuara si të reja në vit në vendin tonë, pjesa më e madhe e tyre, duke qenë se i drejtohen mjekëve në stade të avancuara, marrin dhe seanca terapie me rreze. Këtij fluksi pacientësh nga Shqipëria i shtohen dhe ata nga Kosova e Maqedonia dhe për këtë arsye dy aparaturat unike të kobaltit punojnë më shumë orë sesa norma e caktuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›