Miratohen 3550 bursa për nxënësit dhe studentët
Miratohet numri i bursave dhe kategoritë e nxënësve dhe studentëve që do të përfitojnë ndihmë nga shteti gjatë vitit të ri shkollor 2011-2012. Qeveria ka miratuar dje vendimin për “Kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte, bursat e shtetit dhe pagesat e nxënësve e të studentëve, në institucionet arsimore publike, për vitin shkollor 2011-2012”, sipas të cilit totali i bursave për nxënësit dhe studentët do të jetë 3550. Sipas vendimit, Ministria e Arsimit, për vitin e ri akademik 2011-2012, do të japë 1 650 bursa për nxënësit dhe 1 900 bursa për studentët, për hyrjet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik, për të gjitha kategoritë përfituese. Krahasuar me një vit më parë, është rritur numri i bursave për arsimin e lartë, 300 më shumë se vjet, ndërsa për arsimin e ulët, vetëm 50, kjo edhe për faktin se në arsimin parauniversitar një numër i konsiderueshëm nxënësish që ndjekin mësimin në shkolla të veçanta përfitojnë edhe trajtime të tjera. Përsa i përket kategorive që përfitojnë bursa nga shteti sipas kriterit ekonomik, ato janë: nxënësit/studentët, që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre në largësinë mbi 5 km dhe plotësojnë kriterin ekonomik; nxënësit që banojnë në fshat, të cilët nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km e që vendosen në konvikt publik; nxënësit/studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik; nxënësit/studentët të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik; secili nga studentët bashkëshort me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik dhe që vendoset në konvikt publik; fëmijët, nxënës apo studentë, që kanë statusin e invalidit, paraplegjikut dhe tetraplegjikut dhe që plotësojnë kriterin ekonomik. Ndërsa kategoritë që kanë të drejtë të marrin bursë jashtë kriterit ekonomik, përfshihen: nxënës apo studentë, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës. Nxënësit që vijnë nga zonat verilindore dhe juglindore të vendit (Tropoja, Hasi, Puka, Kukësi, Dibra, Bulqiza, Mati, Mirdita, Malësia e Madhe, Librazhdi, Gramshi, Kolonja, Përmeti, Pogradeci, Skrapari, Tepelena dhe rrethi Tiranë), të cilët regjistrohen dhe ndjekin studimet në vitin e parë shkollor 2011-2012, në shkollat e mesme profesionale; jashtë kriterit ekonomik përfitojnë bursë edhe nxënësit që ndjekin mësimin sipas degëve prioritare për zhvillimin e ekonomisë. Këtu bëhet fjalë për nxënësit që regjistrohen dhe ndjekin studimet në vitin e parë shkollor 2011-2012 në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore, ndërtim dhe teknologji informacioni. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave, për vitet e para, është data 15 dhjetor 2011, për të gjitha kategoritë e shkollave; ndërsa për vitin e dytë e lart është data 15 nëntor 2011.
Nxënësit dhe studentët e të gjitha kategorive nuk përfitojnë bursë ose e humbasin të drejtën e përfitimit të bursës, kur:
Janë ndarë nga trungu familjar
Familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private
Vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi
Shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese