E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi kompjuterik që përcakton fituesit

Çdo test i plotësuar i një maturanti ka si element dallues vetëm një barkod. Gjatë hedhjes së pikëve të fituara për çdo pyetje, krijohet një listë ku çdo barkodi i vihen në korrespondencë pikët. Këtë proces e realizon APRIAL. Ndërkohë AVA, në bazë të të dhënave që disponon nga mjediset ku janë zhvilluar provimet krijon një listë, ku çdo barkodi i bashkëngjitet emri i maturantit. Të dy këto procese realizohen në mënyrë të pavarur. Procesi i hedhjes së të dhënave përfundon kur nuk ka mbetur qoftë dhe një test i paverifikuar, janë eliminuar të gjitha gabimet e mundshme dhe të dy institucionet kanë materialet përkatëse të përfunduara. Në bazë të të dhënave të rezultateve në pikë, ministri i Arsimit vendos kufirin e kalueshmërisë, që quhet “Cutoff”. Pas kësaj, pikët konvertohen në nota të shkallëzuara me dy shifra pas presjes dhjetore. Një komision i posaçëm i MASH, realizon bashkimin e emrave të maturantëve me notën përkatëse, proces që fiksohet në 6 CD. Kjo metodologji përdoret për të katër provimet që japin maturantët dhe në përfundim secili maturant në bazën e të dhënave ka katër rezultatet e tij. Për të marrë kërkesat e maturantëve për programet e studimit që ata duan të ndjekin, përgatitet një formular i posaçëm A2, ku shpallen të gjithë programet e studimit që ofrojnë universitetet. Po në këtë formular merret dhe nota mesatare e maturantit. Kjo përbën elementin e pestë të Meritës, i domosdoshëm në formulën llogaritëse të pikëve të maturantit. Kërkesat e maturantëve për programe studimi janë 10, të renditura sipas preferencave të tyre, të cilat merren parasysh në klasifikimin përfundimtar. Me marrjen dhe hedhjen e këtyre kërkesave, në bazën e të dhënave janë të gjithë elementët e nevojshëm për llogaritjen e pikëve të secilit maturant. Për përcaktimin e fituesve, ndër kandidatët maturantë konkurrentë përdoret një program kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi, sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›