Operacionet anti-hashash, vetëm 21 të arrestuar
TIRANË- Policia e Shtetit gjatë këtij viti ka mundur të asgjësojë 80.950 rrënjë bimë narkotike në nëntë qarqe të vendit, duke arrestuar 21 persona. Por numri i personave të arrestuar për kultivim narkotikësh është disa dhjetëra herë më i vogël se sa numri i parcelave të kapura në të gjithë vendin. Në shumë zona policia ka evidentuar dhe asgjësuar bimë narkotike por nuk ka mundur të zbulojë personat që i kanë mbjellë këto rrënjë duke deklaruar se zonat janë të shpyllëzuara e pa pronar, dhe atje ku janë identifikuar pronarët këta të fundit thonë se nuk e dinë kush ka mbjellë bimë narkotike në tokën e tyre. Kështu duket se policia ka prioritet asgjësimin e bimëve narkotike dhe më pak arrestimin e autorëve, pasi në pjesën dërrmuese të operacioneve pa autor, policia është mjaftuar me deklaratën se zona është pa pronar, apo nuk dihet kush person e ka mbjellë rrënjën narkotike. Por megjithatë me anë të një deklarate për shtyp policia e Shtetit bën të ditur se për një periudhë shtatë mujore nga forcat e policisë janë arrestuar 21 persona, procedohen në gjendje të lirë 14 persona dhe për 15 autorë të identifikuar është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.
Operacionet
Gjatë këtij viti policia e shtetit është angazhuar për të evidentuar zonat në vend në të cilat kultivohen bimë narkotike e asgjësimin e tyre, si dhe identifikimin e kapjen e autorëve. Kështu për një periudhë kohe prej shtatë muajsh, policia ka organizuar me qindra operacione në nëntë qarqe të vendit, duke asgjësuar gjithsej rreth 80.950 rrënjë bimë narkotike cannabis sattiva. Vetëm ditët e fundit policia ka kryer disa operacione në qarkun e Shkodrës duke asgjësuar 45.110 rrënjë bimë narkotike cannabis sattiva. ndërsa ndërhyrjen në Lazarat ditët e fundit ku janë asgjësuar 8.200 bimë narkotike. Në rastin e Lazaratit policia quan si sukses të madh faktin që nuk është pritur me armë në dorë nga banorët por anashkalon anën tjetër të medaljes, mos identifikimin e personave që kanë mbjellë hashash. Bima narkotike ishte kultivuar në oborret e shtëpive por as në këtë rast, policia nuk ka mundur të gjejë pronarin e tyre. Në këto shtatë muaj, rasti më flagrant ka ndodhur në Gjirokastër ku një person kishte kultivuar hashashin në dhomën e tij të gjumit.
Masat e policisë
Policia e Shtetit deklaroi se do të vazhdojë puna për identifikimin e sipërfaqeve të tjera të mbjella me bimë narkotike, me qëllim organizimin e operacioneve për asgjësimin e tyre dhe vënien para drejtësisë të autorëve. “Nga strukturat e Policisë së Shtetit i gjithë territori i vendit po monitorohet me helikopter, me synim identifikimin e çdo sipërfaqe të mbjellë me bimë narkotike dhe asgjësimin e tyre. Operacionet do të vazhdojnë për të goditur çdoparcelë të identifikuar dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo individ përgjegjës. Vetëm gjatë vitit 2007 janë sekuestruar duke u shitur apo trafikuar 7.100 kg lëndë narkotike cannabis sattiva, ku prej tyre rreth 3.500 kg ishin me origjinë nga Lazarati”,- thuhej në deklaratën lëshuar dje nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit.
Hashashi në shifra
Në qarkun e Shkodrës janë asgjësuar 45.110 rrënjë bimë narkotike cannabis sattiva.
Në qarkun e Gjirokastrës janë asgjësuar 15225 rrënjë bimë narkotike cannabis sattiva.
Në qarkun e Vlorës janë asgjësuar 12.004 rrënjë bimë narkotike cannabis sattiva.
Në qarkun e Kukësit janë asgjësuar 3.336 rrënjë bimë narkotike cannabis sattiva.
Në qarkun e Durrësit janë asgjësuar 3.094 rrënjë bimë narkotike cannabis sattiva.
Në qarkun e Beratit janë asgjësuar 1.219 rrënjë bimë narkotike cannabis sattiva.
Në qarkun e Fierit janë asgjësuar 457 rrënjë bimë narkotike cannabis sattiva.
Në qarkun e Korçë janë asgjësuar 452 rrënjë bimë narkotike cannabis sattiva.
Në qarkun e Dibrës janë asgjësuar 53 rrënjë bimë narkotike cannabis sattiva.