Pogradec, mbytet aksidentalisht në liqen 17- vjeçari
POGRADEC- Një djalë 17- vjeçar nga Tirana është mbytur aksidentalisht pasditen e djeshme në liqenin e Pogradecit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16.00 kur 17-vjeçari Valmir Balliu, nga fshati Slatinë i Mokrës dhe prej disa vitesh banor në Tiranë, kishte ardhur para dy ditësh me pushime në Pogradec. Ai kishte vendosur të qëndronte tek xhaxhai i tij, Ferzi Balliu me profesion polic. Në mesditë, ai ka shkuar së bashku me të vëllanë më të vogël për të bërë plazh në liqen, pranë molit të qytetit. Pasi kanë qëndruar për disa orë në diell, 17- vjeçari Valmir Balliu ka vendosur të hyjë në ujë. Vëllai i tij i vogël që ishte në breg ka parë që papritur figura e tij të zhduket nga sipërfaqja e ujit. Ai ka kërkuar ndihmë dhe shumë plazhistë që kanë qenë aty, kanë hyrë menjëherë në liqen për t`i ardhur në ndihmë adoleshentit. Por ai është zhdukur nën ujë dhe askush nuk ka mundur që të gjejë trupin. Menjëherë në vendin ku u zhduk 17- vjeçari ka shkuar edhe skafi i policisë, i cili ka nisur kërkimet i ndihmuar edhe nga një grup peshkatarësh.Këta të fundit kanë hedhur rrjetat në ujë për të gjetur trupin e djalit. Pas tre orë kërkimesh, rreth orës 19.00 të mbrëmjes është bërë e mundur gjetja e kufomës së 17- vjeçarit, i cili menjëherë është çuar në morgun e spitalit për të kryer ekspertizën mjeko -ligjore. Ky është rasti i dytë i mbytjes aksidentale në liqenin e Pogradecit për këtë sezon veror. Ndërkohë ende nuk ka roje liqeni për të ndihmuar pushuesit .Verën e kaluar u mbytën në liqen tetë persona dhe në anën tjetër të bregut të liqenit në Ohër janë rreth 120 roje liqeni që iu vijnë në ndihmë pushuesve.