E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: Jeta pas grevës, ushqim me skemë dhe analiza



Aristir Lumezi

Deputeti socialist Ilir Beqja, një ditë pas daljes nga çadra e grevës së urisë, tregon kthimin në normalitet, rekomandimet strikte të mjekut, si dhe nisjen e dietës ushqimore pas 19 ditësh të grevës së urisë. Beqja tregon dhe momentet e vështira dhe emocionuese që përjetoi gjatë tri javëve në çadrën e urisë.
Zoti Beqja, deputetët socialistë dhe mbështetësit e tyre zhvilluan një grevë urie 19-ditore, sa ajo arriti qëllimin e saj dhe sa e suksesshme ishte ajo?
Për të bërë një bilanc të plotë të asaj që ka arritur greva është shpejt dhe duhet një gjykim më i ftohtë. Unë nuk mund ta fsheh se jam ende i ngarkuar emocionalisht nga gjithë kjo histori. Përfitimet janë shumëplanëshe dhe përfitimi kryesor është dhe qëllimi kryesor i kauzës sonë 9-mujore, përpjekjes sonë deri dhe në sakrificë, deri në transparencë, dhe unë gjykoj e shpresoj që në bisedimet që fillojnë sonte dhe ndoshta mbarojnë dhe nesër, do të arrihet një kompromis i mirë, nga i cili do të përfitojë e gjithë Shqipëria.
A pati momente në diskutimin tuaj aty në çadër, të një skepticizmi se ndoshta mbyllja e grevës po bëhej pa marrë garancitë e realizimit të gjashtë pikave që Komiteti i grevës artikuloi dhe se greva po mbyllej me terma të liberalizimit dhe integrimit të vendit?
Nuk do thosha se është kështu, sepse edhe në atë formulë të parë, që sot nga maxhoranca askush nuk e pranonte se ekzistonte që të premten e kaluar, elementët kryesorë të hetimit apo të bërjes së transparencës qëndronin. çfarëdo që të diskutohet sonte, thelbi i transparencës do të mbetet pa dyshim dhe asnjëherë nuk e kemi thënë jashtë kushtetueshmërisë, sepse kjo do të ishte një gjë jashtë çdo lloj logjike. Në fakt pati mëdyshje dhe diskutime në takimin që ne patëm si grup deputetësh brenda çadrës. Secili nga deputetët arrinte të administronte dhe mirëkuptohej me grupin e mbështetësve të vet brenda në çadër.
Pas daljes nga çadra, ju shkuat në shtëpi. Ju priste vajza apo e gjetët në gjumë?
Jo, jo, vajza dhe ime shoqe erdhën te çadra dhe bashkë pastaj shkuam në shtëpi. Ishte dhe im vëlla dhe njerëz të tjerë të afërm. Pas daljes kam takuar familjarët, por e kuptova se u solla pak vrazhdë me 2 televizione që më kërkonin prononcim sapo dola nga çadra. Më pas u takova me disa shokë e shoqe që punojnë në aparatin e PS në Tiranë, ndalova pak për të takuar tim atë, që është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe e gjeta pak të hutuar, sepse ishte vonë dhe lajmin sapo e kishte marrë vesh.
çfarë ushqimi kërkuat, sapo u kthyet në shtëpi?
Me t’u kthyer në shtëpi kam filluar të bëj shërbimet personale. Mbrëmë vazhdova me ushqimin e çadrës, ujë me trisol. Në fakt ne kemi marrë një udhëzim shumë të detajuar për dy veprime; një skemë ushqimi për 4-5 ditët e para, dhe një skemë kontrolli shumë të plotë mjekësor që duhet të bëjmë që sot. Unë sot në mëngjes kam marrë lëng mishi, ndërsa në drekë lëng mishi me pak makarona të buta. Nuk dua të nxitohem me ushqimin, për të parandaluar çdo pasojë që mund të ketë organizmi pas 19 ditë grevë urie. Ndërkohë që analizat e gjakut më kanë dalë për fat shumë mirë, nesër do të bëj dhe analizat të tjera dhe një kontroll te stomatologu, EKG dhe Eko-n e barkut. Një gjë që është e përbashkët për të gjithë, është pulsi paksa i lartë që lidhet, sipas mjekëve, me sasinë e kaliumit që është në gjak, por që për 2-3 ditë stabilizohet.
Gjatë 19 ditëve që ju qëndruat në grevë urie, cili ishte momenti më i vështirë që kaluat?
Nga momentet shëndetësore, do të veçoja një reaksion të serumit që pata para tri ditësh. Megjithatë ia dola ta përballoj në çadër. Kolegët më kërkuan që unë të shkoja në spital, ndërsa në çadër isha bashkë me 9 grevistë të tjerë nga Shkodra, dhe ikja ime do më dukej si prerje në besë. Ndërsa një moment të vështirë emocional e kam pasur në datën 10 maj, ishte 20-vjetori i lidhjes me time shoqe dhe do të doja të isha jashtë për ta festuar. Historia e solli që atë ditë, unë dhe bashkëshortja ime të bënim garë me njëri-tjetrin se kush do çonte tufën me lule më të madhe dhe më të veçantë. Një tjetër moment i vështirë ishte një dalje publike që ne bëmë gjatë protestave. Në një moment, unë ndërpreva fjalën për të pirë ujë, por në atë moment, siç më thotë ime shoqe, vajza ime është prekur shumë, është ndjerë keq dhe që nga ajo ditë komunikimet tona kanë qenë të vështira sepse ajo mendonte se unë i fshihja diçka nga ana shëndetësore.
Fjalët e para të vajzës, kur u takuat jashtë çadrës?
Nuk i mbaj mend, ishte një përqafim i përmalluar nga të dy. Fakti që ata kishin rreth 1 orë e gjysmë jashtë dhe e dinin që greva kishte mbaruar, ndoshta ishte tejkaluar ai emocion.
Po momenti më i bukur gjatë qëndrimit tuaj brenda?
Sinqerisht, protesta e datës 14 maj më ka lënë shumë mbresa, dimensioni i saj numerik, shpirtëror, emocional. E kam diskutuar dhe me kolegët aty brenda, se po ta kishim pasur këtë dimension më 26 qershor, nuk e di se si do ishte historia e këtyre nëntë muajve në Shqipëri. Një moment shumë i bukur ishte po në datën 14 maj, kur ne të entuziazmuar me atë që po ndodhte jashtë, i bëmë Edi Ramës një surprizë. Ne na kishte ardhur nga një çift artistësh një buqetë e madhe me 202 lule dhe 202 gurë dhe ne ia dhuruam Ramës. Buqetën e mbaja unë në dorë dhe pashë me bisht të syrit surprizimin e tij nga ky veprim. Ai nuk e përballoi dot këtë emocion dhe u largua shpejt i mallëngjyer. Këto emocione bënë që nga ai moment e deri të nesërmen në drekë, nuk pati asnjë të dërguar në spital. Ne kishim marrë një dozë të mirë serumi nga ai miting proteste.
Në grevë ju patët një grup jo të vogël deputetësh, por rasti e solli që ju të ishit shumë afër mes jush, duke u njohur shumë më mirë sesa jeta në grupin parlamentar. Sa ndryshoi mendimi juaj për dikë që në kushte të tjera nuk do ta kishit njohur ashtu?
Unë kam një njohje njerëzore, marrëdhënie pune, kanë qenë ministra kur unë kam pasur një detyrë të caktuar në administratë. Ajo që unë nuk arrij ta besoj është se si ka mundësi që 202 shqiptarë që “zihen për dy pare spec”, bëjnë aq bashkëjetesë të paqtë, në ato kushte aq të vështira. Dhe gjithashtu, më ka bërë përshtypje shërbimi që na ka bërë një grup djemsh dhe vajzash, me një përkushtim njerëzor të papërsëritshëm. Mua më kanë bërë përshtypje Blendi Klosi dhe Agim Leka, që kanë bërë rezistencën më të madhe nga ana shëndetësore. Klosi ishte diabetik që ditën e parë, ndërsa Leka rezistoi për shumë ditë, edhe pse duhej të kishte dalë shumë më parë.
Duke bërë një përmbledhje të të gjithë sakrificës për kauzën tuaj, cila është pritshmëria minimale dhe maksimale e negociatave të sotme, që do të përligjnin grevën e urisë?
Unë gjykoj që do të ketë një formulë që do të bien dakord palët, për të bërë një vlerësim të plotë, realisht dhe të thellë se çfarë ndodhi më 28 qershor dhe kjo do të hapë rrugën që vendi të rikthehet në një rrugë të domosdoshme normaliteti, që opozita të kthehet në pozicionin e saj normal dhe vendi të fillojë të qeveriset. Shqipëria ka 10 muaj që nuk qeveriset. Këto 10 muaj, ne kemi bërë të kuptohet nga të gjithë, këtu dhe jashtë, se si bëhet opozitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›