E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni “Tuneli” Vrasja e emigrantit, një në pranga dy në kërkim

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Përfundon në pranga një prej autorëve të vrasjes së 32-vjeçarit në Levan të Fierit. Dy bashkëpunëtorët e tij me inicialet S.A dhe R.O, janë shpallur në kërkim. Motiv për vrasjen emigrantit të sapokthyer ishte rrëmbimi i parave. 32-vjeçari kishte me vete vetëm 30 mijë lekë të vjetra, të cilat ja kanë rrëmbyer tre autorët pasi e kanë vrarë e i kanë fshehur trupin në një tunel afër Levanit. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur se Miço Osmani i moshës 18 vjeçare është identiteti i personit të vënë nën pranga ndërsa po kërkohen edhe dy persona të tjerë që dyshohet se janë bashkautorë në krim.
Akuzat
Pas identifikimit të viktimës policia ka marrë dëshmitë e familjarëve, të cilët pohuan për policinë se nuk kishin asnjë konflikt. Fillimisht policia u fokusua mbi të shkuarën e 32-vjeçarit dhe jetën e tij përtej kufinjëve, por nga kjo pistë grupi i hetimit nuk mundi të mbërrijë në gjurmët e autorëve. Ka qenë një pakujdesi e tre të dyshuarve gjatë kryerjes së krimit, në fshehjen e provave ajo që çoi policinë brenda 24 orëve në arrestimin e një prej autorëve dhe shpalljen në kërkim të dy bashkëpunëtorëve të tij. Mbi tre të dyshuarit rëndojnë akuzat për veprat penale të “vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim”, “grabitjes” dhe e “armëmbajtjes pa leje”. Ngjarja për të cilën dyshohet Osmani, ndodhi të shtunën kur Leonard Hazizaj, emigrant në Greqi ishte duke shkuar tek banesa e të fejuarës kur u sulmua. Viktima u gjet me pesë plumba në kokë nga kalimtarë të rastit.
Ngjarja
Leonard Hazizaj, emigrant periodik në Greqi, u gjet i hedhur në një cep rruge, ku kalonin pak kalimtarë, pranë një tuneli në ish-repartin e Artilierisë në Levan, në afërsi të grykëderdhjes së Vjosës. Kalimtarë të rastësishëm, banorë të zonës, panë trupin e pajetë që gjendej i flakur në anë të rrugës dhe njoftuan policinë. Viktima ishte qëlluar me një pistoletë në kokë dhe trup, me pesë plumba, duke i shkaktuar dëmtime që vështirësuan identifikimin e tij. Forcat policore dhe agjentët e antikrimit, bënë të mundur identifikimin e viktimës dhe zbardhën detaje nga ngjarja dhe minutat pararendëse. Më herët, para se të bëhej i mundur identifikimi i të ndjerit, policia tha se bëhej fjalë për një mashkull në moshën rreth 40-42 vjeç. Mësohet se Leonard Hazizaj, 32-vjeçar nga Fieri, ishte fejuar me një vajzë rreth 20 vjeçe në Frakull të rrethit Fier. Mbrëmjen e dy ditëve më parë, ai ishte nisur për tek e fejuara, me rastin e Krishtlindjeve duke i dërguar një tortë për të uruar festën. Në kthim, me automjetin e tij, një veturë tip “Nissan” me targa greke, mendohet të jetë ndalur nga persona të armatosur të cilët e kanë shtyrë deri në tunelin e ish-repartit të tankeve ku edhe e kanë vrarë me pistoletë dhe janë larguar duke e lënë viktimën aty.

Ky lajm është publikuar: 28/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›