E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi për 2009-ën Raporti, kushte ç’njerëzore në burgje

Autori i Lajmit: Redaksia

Mbipopullimi, mungesa e ujit, lagështia dhe trajtimi i të dënuarve kjo është panorama e burgjeve shqiptare. Alarmi është dhe në raportin vjetor të rrjeti të organizatave për të drejtat e njeriut, e cila ka inspektuar të gjitha burgjet në vend. Në raport thuhet se disa nga institucionet e paraburgimit dhe të burgjeve kanë probleme, si: lagështirë, mungesë të ujit të rrjedhshëm, etj. Mbipopullimi mbetet shqetësim dhe, në këto kushte, bëhet i vështirë garantimi i trajtimit të duhur të personave të paraburgosur ose të dënuar, veçanërisht për të miturit dhe gratë. Zbatimi i programeve të trajtimit për grupet në pozita të dobëta nuk kryhet në nivele të kënaqshme. Arsimimi dhe punësimi i personave të privuar nga liria është realizuar në disa institucione pilot, por mbetet që ky shërbim të shtrihet në të gjitha institucionet e paraburgimeve dhe burgjet.
Paraburgimet
Nuk janë raportuar raste torture në sistemin e paraburgimit, megjithatë, nga monitorimi i kryer, IET raporton së është venë në dijeni të keqtrajtimeve të qëllimshme fizike në institucionet e paraburgimit në Lezhë, Korçë dhe Tepelenë, ndërkohë që në Peqin dhe Vlorë u identifikuan raste të izoluara. Po ashtu, në disa raste është abuzuar me masën disiplinore të izolimit si dhe janë konstatuar disa raste të trajtimeve dhe kushteve të papranueshme në izolim si në Lezhë, Korçë, Tepelenë. Një tjetër çështje që konstatohet nga IET është përdorimi i mjeteve lidhëse në Qendrën Spitalore të Burgjeve, ku janë zbuluar dy raste të trajtimit çnjerëzor dhe degradues ndaj dy të burgosurve të cilët ishin lidhur në shtrat me zinxhirë (në njërën këmbë dhe në njërën dorë) për rreth njëzetë ditë dhe që qëndronin të lidhur gjatë gjithë natës dhe pjesën më të madhe të ditës. Lidhja e pacientëve me zinxhirë klasifikohet si trajtim çnjerëzor dhe degradues nga Komiteti për Parandalimin e Torturës (CPT) pasi, jo vetëm që ka ndikim dhe rëndon simptomat psiko-patologjike të viktimave, por ndikon edhe tek pacientët e tjerë, çka ka bërë që të klasifikohet si trajtim çnjerëzor dhe degradues nga Komiteti për Parandalimin e Torturës (CPT).
Masat mbrojtëse
Ekziston kontrolli i brendshëm si pjesë e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe një numër OJF-sh, organizatash ndërkombëtare dhe Avokati i Popullit, të cilët lejohen të kryejnë kontrolle të jashtme me qëllim vlerësimin e situatës së të drejtave të njeriut dhe parandalimin e rasteve të torturës dhe keqtrajtimit. Në raprot citohet edhe fakti se ndarja e të burgosurve në kategori në përgjithësi respektohet dhe konsiston në ndarjen në gra/burra dhe të mitur/të rritur, të akuzuar/të dënuar si edhe ndarje për shkak të sigurisë së të paraburgosurve. Megjithatë, sipas monitorimit të kryer nga IET, është verifikuar së në Korçë fëmijët mbaheshin në të njëjtin vend me të rriturit.
Ndërkohë QDNJD ka konstatuar së ndarja të mitur/të rritur në sektorin e grave në Institucionin e Paraburgimit 313, Tiranë nuk kryhet. Vajzat e mitura qëndrojnë në të njëjtin ambient me të rriturat në këtë institucion .
Kushtet materiale
Që nga Janari 2008, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është e ngarkuar me sigurimin e ushqimit sipas dispozitave të reja të ushqimit dhe sigurimin e materialeve të nevojshme për të paraburgosurit që mbahen në komisariatet e policisë. Kjo dispozitë vlen edhe për të gjithë të paraburgosurit e tjerë që mbahen në sistemin e burgjeve. Në sistemin e burgimit dhe paraburgimit, të burgosurit dhe të paraburgosurit trajtohen sipas dispozitave për ushqimin të kategorizuara për të burgosur/paraburgosur normalë, që punojnë, ose të sëmurë. Brenda institucioneve ekzistojnë dyqane dhe familjeve u lejohet të sjellin ushqim për të paraburgosurit. Lidhur me ndriçimin dhe ventilimin, sipas monitorimit të IET, në disa institucione ventilimi nuk ishte i përshtatshëm, kurse pjesa më e madhe e tyre kishin probleme me ndriçimin natyror, si në Tiranë (IEVP 302), Berat, Kukës, Sarandë dhe Tropojë. Po ashtu, në këto institucione nuk funksiononte sistemi i ngrohjes.

Ky lajm është publikuar: 28/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›