E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni "Antimafie" starton në Orikum

Një ditë pasi Kryeministri deklaroi se do të krijojë një strukturë të posaçme për "të zbërthyer mafien", strukturat aktuale shtetërore kanë filluar të shënjestrojnë personat që akuzohen nga kreu i qeverisë si anëtarë të mafies.
Prokurorë, specialistë të Task Forcës kundër krimit ekonomiko-financiar, si dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë të policisë kanë zbarkuar dje në Portin e jahteve në Orikum, ku kanë ushtruar një kontroll në mjetet lundruese të disa biznesmenëve shqiptarë, mes të cilëve edhe një nga personat të cilin Berisha e akuzoi si anëtar të mafies së tokave.
Burimet zyrtare të Prokurorisë së Vlorës bëjnë të ditur se kontrolli ka të bëjë vetëm me zbatimin e moratoriumit për mjetet lundruese dhe për këtë arsye është kontrolluar dokumentacioni i mjeteve. Por efektivë policie janë parë në portin e jahteve me qen antidrogë dhe kontrollet fare dukshëm nuk u ndalën te shkresat, por edhe poshtë dyshemeve dhe nën veshjet e anijeve të luksit.
Në Portin e jahteve në Orikum qëndrojnë të ankoruara rreth 35 mjete detare që nga jahtet luksoze me gjatësi deri në 30 metra, deri te gomonet për lëvizje turistike në zonën e Karaburunit. Shumica e mjeteve janë në pronësi të shtetasve të huaj, kryesisht italianë, por aty kanë jahtet e tyre edhe disa biznesmenë shqiptarë, si ndërtuesi dhe pronari i televizionit "Vizion +" Artan Dulaku; ish-administratori i "DARFO"-s, i arrestuar për evazion, Eduard Belegu; pronari i "Deka Group", si dhe deputeti i PDU-së, Dashamir Tahiri.
Prokurori i Vlorës, Sokol Malaj, tha për gazetën "Shqip" se kontrolli i mjeteve që ndodhen në këtë port bëhet vetëm për dokumentacionin që ata disponojnë. Kontrolli i këtyre jahteve, sipas prokurorit Malaj, bëhet në kuadër të moratoriumit të skafeve dhe nuk ka lidhje me asgjë tjetër.
Por nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë mbrëmjen e së enjtes është bërë edhe rrethimi i gjithë zonës dhe nuk është lejuar asnjë person të shkojë pranë mjeteve që ndodhen në këtë port. Në orët e para të ditës së djeshme, prokurorë të Vlorës, të kryesuar nga prokurori Sokol Malaj, si dhe specialistë të Task Forcës, kanë bërë kontroll të imtësishëm në këto jahte, të cilat ndodhen në këtë port prej shumë kohësh.
Dëshmitarët okularë konstatuan se kontrolli i mjeteve nuk bëhej vetëm për dokumentacionin, por shumë më i imët. Për këtë arsye, në portin e jahteve ishin edhe qentë e specializuar për nuhatjen e drogës apo eksplozivëve. Kontrolli i jahteve ka vazhduar deri në mesditë, kur prokurorët edhe specialistët e Task Forcës kanë hyrë në një nga dhomat e ndërtesës së portit dhe kanë bërë procesverbalet që janë mbajtur sekret.
As punonjësit e portit nuk kanë mësuar dot arsyen e këtij kontrolli, por kanë konfirmuar se këto kontrolle janë ushtruar vetëm mbi mjetet në pronësi të biznesmenëve shqiptarë.
Deri dje në mbrëmje, policia dhe prokuroria e Vlorës nuk kanë dhënë asnjë deklaratë në lidhje me rezultatet e kontrollit, që zyrtarisht konsiderohet vetëm si një kontroll dokumentacioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›